Niko Leka: Rrugëtimi 25 vjeçar i Union Financiar Tiranë
Shqiptarët që vërshuan nëpër Europë e më gjerë, në vitet e para të tranzicionit, nuk e braktisën asnjëherë vendin e tyre. Në gati tre dekada i kanë dhënë “oksigjen” ekonomisë përmes parave që kanë dërguar tek të afërmit. Union Financiar Tiranë lindi pikërisht si nevojë e asaj kohe, e një urë lidhëse mes emigranteve dhe familjarëve të tyre. Niko Leka një nga bashkëthemeluesit e kompanisë tregon historikun 25 vjeçar të kompanisë nga transferta e parë e kryer në vitin 1995 deri tek diversifikimi e maturimi në një prej grupeve kryesore financiare në vend.
Cila ishte shtysa për hapjen e Union Financiar Tiranë, 25 vite më parë?
Sigurisht fakti që një numër shumë i madh shqiptarësh kishin lënë vendin nga viti 1992 deri në 1995 dhe kishin filluar të ndienin nevojën për një shërbim të dërgimit të parave te të afërmit në Shqipëri.
Si ishte ecuria e kompanisë në vitet e para dhe si erdhi zgjerimi në Shqipëri, rajon e më gjerë?
Ishte me të vërtetë e vështirë të filloje një biznes të tillë në Shqipërinë e atyre viteve. Mjafton të mendosh se, ndonëse kompania (UFT) u krijua në Mars të 1995, ne arritëm të ofronim shërbimin e transfertave, vetëm në Tetor të 1995. Arsyeja e vonesës ishte, se nuk mund të sigurohej një linjë telefonike për kompaninë për nevojat e komunikimit, që të ofrohej shërbimi.
Përpos kësaj, vetë Western Union ishte në fazat e para të ndërtimit të një brandi të njohur ndërkombëtarisht. Deri atëherë njihej vetëm në SHBA, ndërsa pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë ishin në Europë e sidomos në Itali e Greqi. Mbaj mend se në muajin e parë u kryen vetëm 6 transferta.
Më pas, për vetë cilësitë e shërbimit, “i shpejtë, transparent dhe i sigurt”, shërbimi u përqafua nga të gjithë emigrantët shqiptarë kudo ndodheshin. Që prej atëherë e deri në ditët tona, numrat tregojnë se ata i vlerësojnë këto cilësi, duke e përdorur gjithnjë e më shumë këtë shërbim.
Unioni Financiar i mbijetoi krizës së ‘97. Ne praktikisht e ndërpremë shërbimin vetëm disa javë në Mars ‘97, duke e rifilluar më pas dhe duke ndjekur një politikë shtrirje në të gjithë vendin, me anë të bashkëpunimit me partnerët tanë lokalë. Nga fundi i 1998, arritëm një mbulim të të gjithë qyteteve kryesore të Shqipërisë, si dhe mijëra transaksione mujore nga të gjithë vendet e botës.
Si u përshtat ecuria e kompanisë me zhvillimet ekonomike të vendit dhe si i ndoqi ajo tendencat konsumatore?
Në 25 vjet, sigurisht që kompania është rritur dhe ka ndryshuar shumë. Ndërsa në vitin 1996 ishim të pranishëm vetëm në Tiranë, fillimisht me një zyrë e më pas me një të dytë, vitin 1997 e mbyllëm duke qenë të pranishëm në 3 qytete dhe në 1998, në 30 qytete. Kjo ishte faza kur së bashku me partnerët tanë në të gjithë vendin, realizuam mbulimin e territorit e të popullsisë me shërbimin e transfertave WU. Në këtë periudhë, nuk arrinim të plotësonim kërkesat për hapje agjencish apo për trajnimin e operatorëve të rinj që fillonin punë. Ishte e rëndësishme që shërbimi të ofrohej në cilësinë e lartësinë e emrit të WU. Kjo ishte sfidë për kushtet në të cilat operonim në atë periudhë. Investimi krijoi një rrjet unik, i kudogjendur, i mirëbranduar, i aftë teknikisht e me staf të përkushtuar, që e ofronte shërbimin me orare të zgjatura. Kjo, jo vetëm e bëri WU një brand të njohur e të besueshëm për të gjithë shqiptarët, por dhe një sinonim të transfertës ndërkombëtare të parave.
UFT sot është një nga grupet financiare kryesore në vend. Si do ta vlerësoni ecurinë dhe diversifikimin e tij (këtu i referohemi faktit në investimin e UFT në UB nga 2006, PL etj.)?
Ishte krejt e natyrshme për UFT të kishte ambicie në fushën e shërbimeve bankare. Kjo, duke pasur parasysh që kishte të bënte me një klientelë, e cila gradualisht po kalonte nga një fazë e pambuluar totalisht nga shërbime financiare, në një fazë kur po prekte produktet e para të shërbimit të pagesave dhe qartazi, me kalimin e viteve dhe me rritjen relative të mirëqenies, kishte nevojë edhe për më tepër. 2005 ishte viti kur ne arritëm një pjesë të madhe të objektivave që i patëm vënë vetes në lidhje me shërbimin e transfertave të WU. Kishim hapësirë për të bërë diçka tjetër me të njëjtat standarde e besueshmëri për klientët tanë dhe, kjo diçka tjetër, ishte sistemi bankar. Prej aty lindi Union Bank, që sot është një realitet me rreth 5% të tregut bankar dhe me qindra mijëra klientë, të cilëve ju ofron produkte bankare cilësore dhe bashkëkohore, duke qenë një brand popullor dhe i besueshëm në treg.
Nëse do të mund të bëni një vlerësim, në këto 25 vite, si ka evoluar ekonomia vendase dhe sjellja konsumatore dhe si u jeni përshtatur apo paraprirë këtyre zhvillimeve?
Ekonomia e Shqipërisë është rritur e ka ndryshuar në mënyrë drastike në këto vite të tranzicionit të zgjatur e kjo sigurisht ka ardhur nga puna e pareshtur e natyra dinamike e shqiptarëve. Më duhet të them se emigrantët kanë qenë e kanë mbetur një element thelbësor i kësaj ekonomie. Ndiej edhe një lloj keqardhje, pasi pas 30 vjetësh, dikush do të mendonte se kjo duhet të kishte ndryshuar dhe motori i rritjes do të mund të ishte ekonomia e brendshme e investimet e gjeneruara nga konsumi i brendshëm. Kështu që, sot e kësaj dite, transfertat WU mbeten një produkt shumë i preferuar i klientelës sonë, për vetë faktin se janë mjeti më eficient për të përmbushur nevojën për të dërguar para tek të afërmit në Shqipëri. Aksesi në internet dhe ofrimi i shërbimit nga WU.com, apo nga Aplikacioni WU, kanë bërë që klienti ta marrë shërbimin shumë më lehtë se më parë dhe me kosto shumë më të leverdishme. Sot ka në treg një produkt që është absolutisht mënyra më e përshtatshme për emigrantët për të dërguar paratë e tyre tek të afërmit në Shqipëri.
Si e vlerësoni ecurinë e kompanive kryesore të kompanive të grupit për vitin 2019 dhe ecurinë e tyre në vitet e fundit?
E gjithë dekada e 2010-2019 ka qenë pozitive për kompanitë e grupit të UFT, pasi ne praktikisht kemi qenë në një rritje konstante në të gjithë vendet ku operojmë, përfshi edhe Shqipërinë. Ne kemi jo vetëm rritur numrin e klientëve që shërbejmë, por edhe gamën e shërbimeve që ofrojmë. Krahas kësaj, përfshirja e teknologjisë dhe gërshetimi i kësaj me rritjen sasiore të shërbimeve e transaksioneve, ka bërë që të jemi gjithmonë e më eficientë në ofrimin e shërbimeve tona në këto vite dhe kjo sigurisht që i ka ndihmuar kompanitë në rezultate mjaft të mira.
Nëse mund të bëni një vlerësim, cili ka qenë ndikimi i grupit në ekonomi në 25 vjet (investimet, punonjësit, taksat e paguara etj.).
Sot në kompanitë tona punojnë diku rreth 900-1000 profesionistë e personel mbështetës dhe për vetë industrinë ku jemi aktivë, kemi të bëjmë me paga të nivelit të lartë. Xhiroja që kompanitë e grupit të UFT apo të Union Grup realizojnë, është në një nivel diçka më pak se 1% e GDP së vendit. Për gjithë këto 25 vite, të gjitha kompanitë kanë qenë në mënyrë të vijueshme, jo vetëm nga kompanitë më konsistente në pagesën e taksave, por kanë pasur gjithmonë një element të kontributit social në komunitet.
Cilat janë planet e grupit për të ardhmen? Cilët janë ata sektorë që shikoni me interes për zgjerim dhe diversifikim?
Sigurisht që përfshirja e teknologjisë në shërbimet aktuale do të na lejojë të bëjmë më shumë për klientët, si dhe të ofrojmë shërbime të reja për ta e për klientë të rinj, në vendet ku operojmë.