Intervistë me Administratorin e Union Financiar Tiranë (UFT), z. Elton Çollaku
UFT –evolucioni i rrjetit më të madh të pikave që ofrojnë shërbime financiare në vend
25 vjet aktivitet i Union Financiar Tiranë (UFT) është i mbushur me histori. Në vetëm pak vjet, shërbimi i transfertave të parave u bë i disponueshëm në gjithë Shqipërinë. Z. Elton Çollaku thotë se aktualisht në Shqipëri zhvillojnë aktivitetin mbi 600 agjenci Unionnet – Western Union, duke krijuar në rrjetin më të madh të pikave që ofrojnë shërbime financiare në vend.
Nga viti 1998, kompania filloi shtrirjen në vendet e rajonit, duke nisur me hapjen e aktivitetit në Maqedoninë e Veriut dhe një vit më pas, në Kosovë. Ndër vite, kjo shtrirje u pasurua edhe me vende të tjera. Sot, UFT operon në 5 shtete, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Zvicër dhe Kroaci, duke qenë njëkohësisht, partner i rëndësishëm i Western Union.
1. Cila ka qenë ecuria e Union Financiar Tiranë, në 25 vjet?
Union Financiar Tiranë lindi në vitet e para të tranzicionit, si bashkëshoqërues i familjes shqiptare, në këto vite të vështira. Fillimet e biznesit lidhen ngushtësisht me shërbimin e transfertave të parave Western Union. Pikërisht, nevoja e spikatur e familjeve shqiptare, për një urë lidhëse me të afërmit emigrantë, na nxiti për të kërkuar këtë bashkëpunim me Western Union, gjigantin e transfertave të parave. Natyrisht, si për çdo biznes dhe veçanërisht për aktivitetin tonë specifik të transfertave të parave, fillimi ka qenë i vështirë, me sfida e këmbëngulje për të përmbushur misionin tonë, të sjellim pranë familjeve shqiptare, mbështetjen e të dashurve të tyre, që u larguan jashtë atdheut për një jetë më të mirë.
Vitet e para, ne u përqendruam në përsosjen dhe hapjen e shërbimit tonë në Shqipëri. Familjet që prisnin remitancat, për të plotësuar nevojat bazike, nuk gjendeshin vetëm në Tiranë. Një pjesë e mirë e tyre ndodhen në qytete e zona të largëta. Për t’ju shërbyer atyre dhe gjithë klientëve tanë në mbarë Shqipërinë, lindi nevoja e zgjerimit të rrjetit tonë Unionnet – Western Union përtej Tiranës e qyteteve kryesore dhe, ky objektiv, u arrit që në vitin 1999. Në këtë kohë, shërbimi Western Union u bë i disponueshëm anembanë Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, UFT vijoi të zgjerojë edhe rrjetin e agjencive Unionnet – Western Union. Aktualisht në Shqipëri zhvillojnë aktivitetin mbi 600 agjenci Unionnet – Western Union. Them me bindje se UFT operon rrjetin më të madh të pikave që ofrojnë shërbime financiare në vend.
Nga viti 1998, kompania filloi shtrirjen në vendet e rajonit, duke nisur me hapjen e aktivitetit në Maqedoninë e Veriut dhe një vit më pas, në Kosovë. Ndër vite, kjo shtrirje u pasurua edhe me vende të tjera. Sot, UFT operon në 5 shtete, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Zvicër dhe Kroaci, duke qenë njëkohësisht, partner i rëndësishëm i Western Union.
Me gjithë zgjerimin rajonal e më gjerë, vëmendja jonë ka qenë gjithmonë të cilësia e shërbimit. Ne kujdesemi që shërbimi ynë të jetë i unifikuar në çdo agjenci. Për këtë, agjentët dhe vetë stafi i agjencive Unionnet – Western Union trajnohet dhe testohet periodikisht, për të përmbushur në çdo moment kërkesat e kryerjes së shërbimit me shpejtësinë, saktësinë dhe besueshmërinë e duhur. Kjo përgatitje na ka shpërblyer ndër vite me disa çmime ndërkombëtare për shërbimin Western Union.
Në 10-vjeçarin e dytë të aktivitetit tonë, tashmë me një biznes të konsoliduar në fushën e shërbimit të transfertave të parave, u krijua mundësia për të marrë pjesë edhe në nisma të tjera biznesi. Kështu, në vitin 2006, UFT themelon Union Bank, si bankë me kapital 100% shqiptar. Vetëm 6 vjet më vonë, u krijua PayLink, një kompani e teknologjisë dhe procesimit të pagesave ndërbankare, po nga investimi 100% i UFT. Në planet tona afatgjata, kontributi ynë do të vazhdojë të mbështesë të tjera nisma e sipërmarrje në Shqipëri e më gjerë.
Me kalimin e viteve dhe, duke pasur një bazë të mirë agjencish në të gjithë vendin, ne vijuam të rrisim gamën e shërbimeve financiare në pikat tona. Sot, klientët tanë gjejnë në agjencitë Unionnet – Western Union mbi 50 produkte e shërbime të ndryshme.
2. Nëse do të mund të bëni një vlerësim, në këto 25 vite, si kanë ndryshuar familjet shqiptare dhe marrëdhëniet e tyre me të afërmit në emigracion?
Në këtë çerekshekulli, Shqipëria ka pasur ndryshime të rëndësishme me një periudhë të gjatë tranzicioni, që mbart edhe problematikat e veta. Familja shqiptare i reflekton këto pasoja. Ne jemi një popull i prekur masivisht nga emigracioni, i cili mbetet një plagë e shoqërisë e që ka vazhduar me intensitet edhe në vitet e fundit. Në përgjithësi, emigrantët e viteve të para të tranzicionit tashmë vazhdojnë jetën në vendet ku u vendosën bashkë me familjet, por përsëri mbetet lidhja me vendlindjen e me të afërmit. Pra, ka gjithmonë një vëmendje të veçantë për Shqipërinë, pavarësisht se në përditshmërinë e tyre paraqiten më të largët. Ndërkohë, emigrantët e viteve të fundit, si rrjedhojë edhe e periudhës së shkurtër, i kanë ende rrënjët këtu dhe mbajnë edhe lidhjet më të forta me Shqipërinë dhe familjarët.
3. Si e vlerësoni ciklin e remitancave, si ka ndryshuar ai në 25 vjet?
Si fenomen i lidhur në mënyrë të padiskutueshme me emigracionin, ecuria dhe cikli i remitancave, lidhet drejtpërdrejt me trendet migratore të një vendi, ku nivelet e larta të emigrimit shoqërohen me flukse monetare remitancash, të cilat dërgohen nga emigrantët për të mbështetur familjarët dhe të afërmit në vendet e origjinës. Ndërkohë me kalimin e viteve dhe me inkuadrimin e kësaj kategorie (emigrantëve) në jetën dhe shoqërinë e vendit ku kanë emigruar, vërehet një lloj stabilitetit i remitancave dhe madje rënie të tyre me kalimin e viteve (zakonisht ky është një cikël 10-15-vjeçar).
Edhe në Shqipëri është vërejtur i njëjti fenomen, ku trendi i flukseve të emigracionit shqiptar në vendet perëndimore pas viteve 1990 është shoqëruar me trende rritëse të flukseve hyrëse të remitancave, duke përjetuar edhe ciklet e rritjes, maturimit dhe të ringritjes në rastet e flukseve të reja migratore. Rrjedhimisht, remitancat kanë luajtur dhe ende vijojnë të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në ekonominë e vendit tonë. Mjaftojmë të përmendim në këtë pikë nivelin e konsiderueshëm të remitancave në GDP-në e Shqipërisë, në një mesatare prej 10% gjatë viteve, apo faktin që ende rreth 25% e familjeve shqiptare varen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga mbështetja që u dërgohet në mënyrë të rregullt prej të afërmeve në emigracion në 25 vitet e fundit.
4. A keni të dhëna për profilin ekonomik të familjeve që përfitojnë nga remitancat?
Në mënyrë të padiskutueshme, përfituesit kryesorë të remitancave janë familjarët e shtresave të ulëta dhe të mesme, pra të afërmit e emigrantëve këtu në Shqipëri, për të cilët remitancat janë një burim i rëndësishëm (dhe në shumë raste i vetëm) i të ardhurave.
Në këtë kuadër, më vjen mirë të përmend faktin që Union Financiar Tiranë, përfaqësues i Western Union në Shqipëri që prej 1995, por edhe më gjerë në rajon, ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm në mundësimin e procesit të transferimit të remitancave nga vendet ku janë vendosur bashkatdhetarët tanë në botë për në Shqipëri e në vendet ku ushtron aktivitetin e tij ekonomik, duke Ju ofruar dhe duke mundësuar një shërbim të shpejtë, të sigurt, të besueshëm dhe ekonomik në çdo kohë dhe çdo zonë të vendit. Referuar edhe vlerave mesatare të remitancave të dërguara në Shqipëri, destinacioni primar i tyre shkon për të mbuluar shpenzimet e përditshme të familjeve pritëse (ushqim, veshmbathje, medikamente etj.) ndërkohë që një pjesë e tyre edhe mund të kursehet për të përmbushur qëllime të natyrave të tjera, si arsimim, përmirësim i ambienteve të banimit etj.
Roli i UFT
Union Financiar Tiranë, përfaqësues i Western Union në Shqipëri që prej 1995, por edhe më gjerë në rajon, ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm në mundësimin e procesit të transferimit të remitancave nga vendet ku janë vendosur bashkatdhetarët tanë në botë për në Shqipëri e në vendet ku ushtron aktivitetin e tij ekonomik
5. Cilat qarqe janë përfitueset më të mëdha dhe si ndahen mes zonave rurale dhe urbane?
Shpërndarja gjeografike e remitancave, në vija të përgjithshme, ndjek tendencat e vendosjes së popullsisë në qytetet shqiptare dhe si rrjedhojë, volumet e remitancave sipas qyteteve ndjekin pak a shumë këtë shpërndarje. Në këtë kontekst, Union Financiar Tiranë ka ndjekur një politikë zgjerimi të rrjetit të shërbimit Unionnet – Western Union, në mënyrë që t’i mundësojë popullsisë akses sa më të gjerë në shërbimin e remitancave dhe shërbimet e tjera të pagesave, duke ofruar shërbimet e tij në gjithë territorin e vendit, si në zona urbane, ashtu dhe në ato më rurale. Në këtë kuadër, Union Financiar Tiranë ka ngritur themelet dhe vijon aktivitetin, duke respektuar standardet më të larta të shërbimit, duke ju gjendur pranë familjeve dhe bizneseve në Shqipëri, në ditë të mira e të vështira, në përmbushjen e nevojave, duke luajtur një rol domethënës edhe në gjallërimin e ekonomisë së vendit dhe krijimin e një mjedisi më të favorshëm jetese për qytetarët shqiptarë.
6. Të dhënat e fundit mbi emigracionin tregojnë për flukse të larta të ikjes në qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. A keni vërejtur rritje të flukseve hyrëse në këto qarqe?
Sikurse përmenda edhe më sipër, shpërndarja gjeografike e remitancave përputhet me shpërndarjen gjeografike të banorëve në qytetet ku janë vendosur në Shqipëri. Si rezultat, qytete si Tirana, Durrësi dhe Elbasani, të cilat përfaqësojnë një përqendrim të lartë të popullsisë, por edhe të emigracionit, janë ndër qytetet ku vijnë një pjesë e mirë e remitancave hyrëse, çka përputhet edhe me statistikat që përmenden nga ana Juaj.
7. A mund të analizoni se si ka ndryshuar sasia e prurjeve në dekadën e fundit, në raport me dy dekada më parë?
Dy dekadat e para pas rënies së komunizmit në Shqipëri u karakterizuan me valë të fuqishme emigracioni, madje këto në disa periudha kohore gjatë viteve 1990 – 2000. Në mënyrë të drejtpërdrejt, kjo ndikoi në një trend rritës të flukseve hyrëse të remitancave në dy dekadat e para pas tranzicionit.
Ndërsa dekada e fundit karakterizohet nga dy cikle: ai i maturimit të prurjeve në periudhën 2010-2014, kryesisht si rrjedhojë e maturmit të ciklit migrator të brezit të parë të emigrantëve të periudhës postkomuniste, siç e përmenda edhe më parë, dhe më pas rikthimin e trendit rritës të flukseve hyrëse për periudhën në vijim, si rrjedhojë e një fluksi të ri emigracioni kryesisht në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian.
8. A keni të dhëna mbi burimet e prurjeve sipas shteteve dhe si kanë ndryshuar vitet e fundit. Si po rritet pozicioni i Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në raport me Italinë dhe Greqinë si furnitorët tradicionalë.
Sigurisht që shtetet kryesore nga të cilat vijnë remitancat në Shqipëri janë vendet ku edhe është përqendruar numri më i lartë i emigrantëve shqiptarë ndër vite e që sipas statistikave, vlerësohet në rreth 70% të numrit të tyre. Rrjedhimisht, shtete të tilla si Greqia e Italia, të cilat kanë pritur ndër vite edhe fluksin më të lartë të numrit të emigrantëve shqiptarë, kanë qenë dhe vijojnë të mbeten shtetet kryesore kontribuese në fluksin e remitancave në Shqipëri.
Gjithsesi, referuar tendencave migratore të dekadës së fundit, ku qartazi vërehet se si target janë jo më shtete si Greqia e Italia, por tanimë Gjermania e Britania e Madhe, çka është normale, duke pasur parasysh edhe fuqinë dhe potencialet më të mëdha ekonomike që ofrojnë këto vende, vërehet edhe rritje e peshës së këtyre shteteve në vlerën totale të remitancave hyrëse në Shqipëri.
9. A keni parashikime për ecurinë remitancave në të ardhmen, si pritet ta ndikojë cikli i ri i emigracionit?
Vitet e fundit, si rezultat i tendencave të reja migratore të shqiptarëve në drejtim të vendeve të Europës Perëndimore, të cilat kanë sjellë në këtë mënyrë edhe një “rifreskim” të diasporës shqiptare në Perëndim, vërehet një trend pozitiv i flukseve të remitancave, që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me këto lëvizje migratore dhe suportin e emigrantëve për familjet në Shqipëri.
Në opinionin tim, referuar edhe përvojave të tregut, edhe në vitet e ardhshme, si rrjedhojë e fenomenit të mësipërm, do të vijojë të ketë një trend pozitiv dhe/ose të qëndrueshëm të flukseve të remitancave në vend.
10. Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Detyra e çdo kompanie që ofron shërbime, përfshirë këtu dhe Union Financiar Tiranë, është që të përshtatet me kushtet e tregut, në mënyrë që t’u përgjigjet kërkesave të konsumatorëve dhe klientëve të saj. Në këto kushte Union Financiar Tiranë vazhdon të ecë me hapa konkretë, duke mundësuar:
- Ofrimin e një game sa më të gjerë produktesh për klientët e kompanisë, pra duke pasur një portofol sa më të diversifikuar produktesh dhe shërbimesh.
- Ofrimin e shërbimit në një rrjet sa më kapilar, duke ju gjendur pranë konsumatorëve tradicionalë kudo dhe me një mundësi zgjedhje të gjerë.
- Ofrimin e shërbimeve dixhitale online. Në këtë drejtim, si Western Union ashtu edhe kompania jonë, ka mundësuar prej kohësh shërbimet online të transfertave të parave, sikurse dhe shërbime të tjera të cilat lançohen në mënyrë të vazhdueshme për klientët tanë dhe/ose janë në proces. Ofrimi i këtyre shërbimeve gjithmonë shoqërohet me tarifa edhe më ekonomike, duke mundësuar që Western Union të jetë lider në tregun e remitancave.
Mendoj që aplikimi i kësaj strategjie do të jetë i domosdoshëm për të vazhduar dhe në të ardhmen, për të ruajtur dhe rolin e kompanisë sonë si lider në tregun e ofrimit të shërbimeve financiare në Shqipëri.
Duke vlerësuar besimin që njerëzit kanë treguar ndër vite, Union Financiar Tiranë ndjek një politikë të qartë të përgjegjshmërisë sociale, duke qenë partner në shumë projekteve, në ndihmë të shtresave në nevojë, në mbështetje të Axhendës 2030 dhe të arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Shqipërisë: rehabilitim shkollash dhe ujësjellësish në zona rurale, mbështetje për programe arsimore për zhvillimin e aftësive të të rinjve dhe shtresave në nevojë; fuqizimin e klubeve sportive; fuqizimin e talenteve të reja në fusha të ndryshme të artit, etj.