Remitancat, ndikimi madhor në ekonominë shqiptare
Që nga viti 1992, kur nisën flukset e para të prurjeve të emigrantëve, deri në fund të 2019-s, janë futur në ekonominë shqiptare 29 miliardë dollarë në formën e prurjeve të emigrantëve. Mesatarja vjetore e prurjeve në këta 10 vjet është afërisht 10% e PBB-së. Ato kanë furnizuar me të ardhura 13% të buxhetit të familjeve. Gjysma e prurjeve kanë financuar konsumin e ushqimeve dhe pjesa e tjetër, është përdorur për t’u arsimuar dhe për shërbime të tjera. Vala e re emigratore ka rikthyer rritjen e dërgesave, teksa bankat kanë reduktuar shërbimet për emigrantët në 10 vjet. Si kanë ndikuar në ekonomi remitancat?
Tre dekada që nga rënia e sistemit komunist në vend, emigracioni ndoshta është plaga më e pashërueshme e shoqërisë shqiptare, por përpos kostove që krijohen nga rrudhja e kapitalit njerëzor, emigrantët janë shndërruar në kontribuuesit më të mëdhenj në ekonominë tonë, nëpërmjet dërgesave të rregullta pranë familjeve.
Studime të ndryshme tregojnë se remitancat (prurjet monetare të emigrantëve) kanë qenë nxitësi kryesor për zbutjen e varfërisë, gjithashtu emigrantët, me përvojën e tyre kanë ndihmuar në zhvillimin e aftësive të familjarëve nëpërmjet investimeve në shkollimin dhe në kurimin e tyre. Në 30 vitet e fundit, që nga fillimi i viteve ‘90, Shqipëria po përjeton cikle të rregullta të emigracionit dhe të njëjtën rrugë kanë ndjekur edhe remitancat.
Që nga viti 1992, kur nisën prurjet e para, deri më 2019, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore, emigrantët shqiptarë kanë sjellë në ekonominë shqiptare 29 miliardë dollarë. Kontributi i tyre vjetor përllogaritet sa 10% të PBB-së. Remitancat në vlerë kanë qenë financuesi kryesor i bilancit të pagesave, duke sjellë valutë në ekonomi më shumë se investimet e huaja. Gjatë viteve 1991-2007, remitancat ishin më të larta se eksportet, Investimet e Huaja Direkte dhe ndihmat zyrtare.
Banka Botërore, nëpërmjet një ankete, ka verifikuar se nga viti 2007 deri në 2017, gati 85% e familjeve shqiptare kishin përfituar financime që shkonin deri në 2350 dollarë në vit gjatë një periudhe 10-vjeçare. Gati gjysma e financimeve janë përdorur për financimin e jetesës së përditshme, veçanërisht për blerjen e ushqimeve, ndërsa pjesa tjetër shpërndahet në mënyrë proporcionale për arsim, kurim, rikonstruksione shtëpie etj.
Vala e re migratore pas heqjes së vizave, tashmë si azilkërkues në disa vende të BE-së, po rikthen rritjen e remitancave, të cilat kishin nisur të uleshin pas vitit 2009. Elton Çollaku, Drejtori Ekzekutiv i Unionit Financiar në Tiranë, tha se, ecuria e remitancave lidhet drejtpërdrejt me trendet migratore të një vendi. Ndërkohë, me kalimin e viteve dhe me inkuadrimin e kësaj kategorie (emigrantëve) në jetën dhe shoqërinë e vendit ku kanë emigruar vërehet një lloj stabiliteti i remitancave dhe madje, rënie e tyre me kalimin e viteve (zakonisht ky është një cikël 10-15-vjeçar). Çollaku tha se vitet e fundit, tendencat e reja migratore të shqiptarëve, në drejtim të vendeve të Europës Perëndimore, kanë sjellë në këtë mënyrë edhe një “rifreskim” të diasporës shqiptare në Perëndim. Ai tha se edhe në vitet në vijim, si rrjedhojë e fenomenit të mësipërm, do të vijojë të ketë një trend pozitiv dhe/ose të qëndrueshëm të flukseve të remitancave në vend.
Profesor Ilir Gedëshi, i cili ka bërë një sërë studimesh dhe vrojtimesh lidhur me emigracionin, thotë se, remitancat kanë luajtur rol të rëndësishëm në reduktimin e varfërisë të shumë familjeve në vend. Ndërkohë, nga këndvështrimi i ndikimit të remitancave në zhvillimin ekonomik, Gëdëshi thotë se vetëm një pjesë e vogël e atij burimi (9-12%) është investuar në ekonomi, në biznese kryesisht të vogla. Rrjedhimisht, sipas tij, kjo vlerë monetare e injektuar në ekonominë shqiptare nga migrimi deri tani ka qenë e pamjaftueshme për të rritur prodhimin vendas.
Remitancat dhe ndikimi i tyre në zhvillim
Dërgesat e emigrantëve kanë qenë një burim i rëndësishëm si për të ardhurat dhe për financimin e konsumit dhe janë element thelbësor në kursimet familjare. Banka e Shqipërisë vlerësoi së fundmi në një studim të posaçëm për remitancat se ato kanë pasur kanë efekte absolute mbi mirëqenien dhe ndikimin në ekuilibrat makroekonomikë. Literatura teorike, por edhe studimet empirike, kanë treguar se rëndësia e remitancave ndikohet nga mënyra se si ato përdoren.
Prandaj, efektet e mundshme makroekonomike të remitancave pasqyrojnë strukturën e konsumit të familjeve shqiptare. Banka e Shqipërisë ka gjetur se dërgesat e emigrantëve kanë mbuluar financimin e konsumit të familjeve për nevojat bazë, si ushqim, kujdes shëndetësor, arsim, etj. Mirëpo përfitueshmëria më e madhe e remitancave do të ishte sikur ato të investoheshin në prodhim. Një studimin për rastin e Meksikës ka treguar se 1 dollar i remitancës së shpenzuar në prodhim gjeneroi 2.69 dollarë në të ardhurat kombëtare të zonave urbane dhe 3.17 dollarë në zonat rurale. Një tjetër rast i rëndësishëm është ai i Greqisë. Vlerësohet se në vitet ’70, kontributi i remitancave ishte sa 50% e rritjes ekonomike të vendit.
Nga konsumi në prodhim
Banka e Shqipërisë ka gjetur se dërgesat e emigrantëve kanë mbuluar financimin e konsumit të familjeve për nevojat bazë, si ushqim, kujdes shëndetësor, arsim, etj. Mirëpo përfitueshmëria më e madhe e remitancave do të ishte sikur ato të investoheshin në prodhim.
Prurjet e emigrantëve janë një zë i rëndësishëm në statistikat e bilancit të pagesave të Shqipërisë. Gjatë periudhës 2008-2017, raporti i remitancave ndaj PBB-së ishte mesatarisht 9.1%. Rëndësia e dërgesave të emigrantëve tregohet edhe nga raportet e saj kundrejt treguesve të tjerë. Gjatë viteve 2008-2017, fluksi i remitancave ishte mesatarisht 36.7% e deficitit tregtar në mallra. Në të njëjtën kohë, raporti mesatar i remitancave ndaj eksportit të mallrave ishte 32.6%, ndërsa për Investimet e Huaja Direkte thuajse 100%. Para vitit 2008, remitancat ishin më të larta se eksportet dhe investimet e huaja.
Edhe pse dinamika aktuale e deficitit është e përcaktuar gjerësisht nga tregtia e mallrave dhe shërbimeve, shpeshherë remitancat kthehen në një kontribuues të rëndësishëm. Gjatë periudhës 2011-2018, deficiti i llogarisë korrente u ngushtua me 2.3% dhe kontributi e flukseve hyrëse të remitancave në këtë drejtim vlerësohet në rreth 1.2 pikë përqindjeje. Gjithashtu, në periudhën 2005-2010, ndonëse zgjerimi i deficitit korrent ishte rreth 26.1%, remitancat kontribuuan (mesatarisht në 2.4 pikë përqindjeje të ngushtimit të deficitit aktual). Ndërsa kontributi i remitancave mund të jetë më i ulëti, ato mbeten një rrjedhë e rëndësishme (megjithëse jo përcaktuese) në formësimin e dinamikës së deficitit aktual, dhe, herë pas here, ato mund të bëjnë një ndryshim të rëndësishëm në këto dinamika, vlerëson Banka e Shqipërisë.
Remitancat vjetore, një e dhjeta e PBB-së
Banka Botërore përllogarit se prurjet e emigrantëve kanë zënë një pozicion të rëndësishëm në ekonominë shqiptare. Sipas përllogaritjeve të saj, në vitin 2019, të ardhurat nga emigrantët ishin 1,47 miliardë dollarë, një shumë kjo e barabartë me 9.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Pavarësisht se prurjet në vlerë janë në rritje, raporti me PBB ka ardhur në rënie për shkak të rritjes së ekonomisë. Para vitit 2011, prurjet e emigrantëve ishin më shumë se 13-14% e PBB-së. Ky raport arriti vlerën më të lartë në vitin 1993 ku prurjet nga emigrantët zinin 28% e PBB-së. Ato kanë pasur një peshë të madhe deri në krizën ekonomike globale, duke furnizuar gati 13-16% të PBB-së.
Gjysma shpenzohen për ushqime, furnizojnë 13% të buxhetit të familjeve
Pjesa më e madhe e remitancave shpenzohen në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” dhe në “strehim, ujë dhe energji”. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, gati gjysma e prurjeve të emigrantëve, rreth 48% e tyre, përdoren për blerje ushqimesh dhe pije joalkoolike. 3% e prurjeve vlerësohet se shkojnë për mobilimin dhe restaurimin e shtëpive, 4.5% e tyre përdoren për të blerë veshje dhe 5% për shërbimet shëndetësore, 4.8% për udhëtime, 3.3% shpenzohen për t’u arsimuar ndërsa 3,2% harxhohen nga të afërmit në Shqipëri, në bare dhe në restorante.
Nga rezultatet e anketave të Bankës së Shqipërisë vlerësohet se remitancat përfaqësojnë rreth 13% të buxhetit vjetor të familjes në Shqipëri. Një pjesë e konsiderueshme e tyre shkon në familje përfituese që jetojnë në zona rurale. Për më tepër, remitancat e shpenzuara në zonat rurale mund të kenë një efekt më të madh se ato të shpenzuara në zonat urbane, pasi ato priren më shumë drejt konsumit të mallrave dhe shërbimeve lokale.
Dibra dhe Kukësi, përfituesit me varësinë më të lartë nga remitancat
Anketa e Buxhetit të Familjeve (INSTAT, 2017) tregon se Kukësi dhe Dibra janë qarqet ku remitancat zënë relativisht 15-19% të totalit të të ardhurave të familjeve. Njëkohësisht, këto dy qarqe, krahasuar me qarqet e tjera, shfaqin përqendrimin më të lartë të nivelit të familjeve pritëse në total familjesh, përkatësisht 37% dhe 17%. Referuar Anketës së Matjes së Nivelit të Jetesës (INSTAT, 2012), Qarku i Kukësit ka shkallën më të lartë të varfërisë në nivelin 22.5%, dhe të ardhurat nga remitancat ndikojnë pozitivisht në reduktimin e varfërisë në këtë qark. Identifikimi me saktësi i përdorimit të të ardhurave shtesë familjare në formën e remitancave, i ndarë nga të ardhurat e tjera, është i vështirë.
Megjithatë, duke rritur të ardhurat familjare, remitancat ndikojnë në sjelljen e tyre për konsum, investime dhe kursime. Matjet empirike në anketat e buxhetit të familjes tregojnë se ato që marrin remitanca, gjithsesi, kanë nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore krahasuar me mesataren e vendit dhe me familjet që nuk marrin remitanca. Gjithashtu, analiza e sjelljes së shpenzimeve mesatare mujore të familjeve tregon se familjet që marrin remitanca shpenzojnë më shumë për konsum (mallra ushqimore, pije dhe veshje) për strehim (shpenzime për mirëmbajtje dhe mobilim banese) dhe shërbime shëndetësore.
Studime të shumta për ekonominë e remitancave pranojnë se herët a vonë, këto flukse monetare do të bien. Por që efekti pozitiv i tyre të jetë më i gjatë, prioriteti qëndron në kanalizimin e tyre drejt investimeve. Në Shqipëri, shumica e remitancave transferohen në rrugë jozyrtare.
Sfida e formalizimit
Formalizimi
Kanalizimi i remitancave nëpërmjet kanaleve zyrtare paraqitet tejet i rëndësishëm, duke krijuar akses në shërbimet bazike bankare për familjet pritëse të emigrantëve. Krijimi i një marrëdhënieje të tillë me institucionet bankare dhe ato financiare jobanka, mundëson aksesin në produkte edhe më të sofistikuara financimi dhe investimi, duke mbështetur krijimin e një historiku të klientit.
Remitancat vlerësohen të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në shkallën e përfshirjes financiare të popullsisë. Por edhe pse Shqipëria ka prurje të konsiderueshme të remitancave, treguesi i përfshirjes financiare vlerësohet në 40%, një nivel i ulët në krahasim me mesataren globale 69%, sipas Bankës së Shqipërisë.
Ndër të tjera, përdorimi i kanaleve zyrtare për prurjet e emigrantëve promovon aktivitetin ndërmjetësues të institucioneve financiare, duke kontribuar në zhvillimin financiar të vendit.
Banka e Shqipërisë referon se, promovimi i përdorimit të sistemit financiar për remitancat ka qenë në qendër të vëmendjes edhe në kuadrin e reduktimit të përdorimit të parave cash në ekonomi. Në vitin 2017, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Botërore, ndërmori një studim të detajuar të tregut të remitancave me synimin e identifikimit të boshllëqeve infrastrukturore dhe rregullatore në përafrimin me praktikat më të mira.
Kanalizimi i remitancave nëpërmjet kanaleve zyrtare paraqitet tejet i rëndësishëm, duke krijuar akses në shërbimet bazike bankare për familjet pritëse të emigrantëve. Krijimi i një marrëdhënieje të tillë me institucionet bankare dhe ato financiare jobanka, mundëson aksesin në produkte edhe më të sofistikuara financimi dhe investimi, duke mbështetur krijimin e një historiku të klientit.
39% e prurjeve vijnë nga kanale të parregulluara
Shqipëria është një vend kryesisht pranues i remitancave. Nga analizimi i mënyrës së dërgimit vlerësohet nga Banka e Shqipërisë se, 39% e flukseve të kanalizohen përmes kanaleve të parregulluara, ndërsa 57% kalojnë nëpërmjet institucioneve financiare jobanka dhe vetëm 4% nëpërmjet bankave. Gjithashtu, vërehet se remitancat në Shqipëri, edhe në rastet kur kanalizohen në kanale zyrtare dërgimi, disbursohen në cash duke kontribuar në nxitjen e përdorimit të cash-it në ekonominë shqiptare. Matjet nga Banka e Shqipërisë kanë treguar se cash-i është një instrument i kushtueshëm për ekonominë shqiptare, i cili u kushton ofruesve të shërbimeve të pagesave rreth 0.68% të PPB-së, ndërkohë që për përdoruesit e shërbimeve të pagesave, këto kosto arrijnë deri në 0.8% të PPB-së.
Bankat, shërbime të kufizuara për emigrantët
Në mars 2018, Banka e Shqipërisë, në kuadër të planit kombëtar për nxitjen e ndikimit të Diasporës në zhvillimin e vendit, kreu një vrojtim mbi produktet që ofron tregu financiar shqiptar për dërgesat e emigrantëve shqiptarë. Në anketim u përfshinë bankat dhe institucionet jobanka. Nga vrojtimi doli se produkti kryesor që ofrohet nga bankat është “transferta bankare”. Produkti i dytë i ofruar është “depozita” (për 11 banka, 84%). Të pyetur nëse ofronin shërbime specifike për emigrantët, në mars 2018, 9 banka me 63.3% të aktiveve të sistemit deklarojnë se ofrojnë “hua për shtëpi për emigrantë, apo për familjarë të tyre”. Shërbimi tjetër që duket se bankat vazhdojnë ta ofrojnë edhe pse më pak (5 banka, me 23.6% të aktiveve; nga 6 banka me 42.8% në 2007) është “hua për biznes për emigrantin dhe familjarët e tij. Në dallim nga rezultatet e vrojtimit të vitit 2007, kur 13 banka ofronin dhënien e kredisë konsumatore për emigrantët dhe familjet e tyre, në këtë vrojtim janë vetëm 4 banka me 23.5% të aktiveve të sistemit që ofrojnë kredi konsumatore për emigrantët.
Këto të dhëna na tregojnë se bankat nuk kanë vëmendjen e dikurshme ndaj shërbimeve që mund t’u ofrojnë emigrantëve. Zhvillim pozitiv në drejtim të shërbimeve për emigrantët duket se ka ndodhur vetëm në drejtim të pajisjes me kartë elektronike, që është një shërbim, të cilin e ofrojnë 10 banka me 65.6% të aktiveve të sistemit, kundrejt 8 bankave (me 57% të aktiveve) që e ofronin në vitin 2007. Të pyetur nëse ofrojnë transferta pa paguar komisione, vetëm një bankë raporton se për emigrantët ofrohen transferta pa pagesë deri në një shumë të caktuar (900 euro). Ndërsa në vrojtimin e vitit 2007 ishin 5 banka që raportonin se ofronin transferta pa pagesë deri në një shumë të caktuar për emigrantët.
Lidhur me mënyrën e transferimit të dërgesave në para të emigrantëve tek përfituesit, 3 banka me 55.5% të aktiveve të sistemit, nga 12 banka që ofrojnë shërbime për emigrantët, raportojnë se i transferojnë ato në “cash”, kundrejt vetëm dy bankave me 22% të aktiveve, të cilat në vrojtimin e vitit 2007 deklaronin se i transferonin remitancat në “cash”. Pjesa tjetër e bankave informon se i kalon dërgesat në llogari (sipas udhëzimeve të dërguesit).
Në lidhje me llojin e monedhës së përdorur për pagesat bankare, 5 banka me 65.5% të aktiveve u përgjigjën se ata paguajnë në monedhën origjinale të transfertës (prej tyre, 3 banka raportojnë se i paguajnë edhe në lekë) dhe 7 banka raportojnë se sipas dëshirës së marrësit me të cilën është urdhëruar dërgesa.
Ndërkohë, 3 banka me 55.5% të aktiveve i kanë përzgjedhur të tre opsionet e përgjigjeve mbi llojin e monedhës me të cilën bëhet disbursimi i dërgesës (në monedhë origjinale, në lekë, sipas dëshirës së marrësit). Pra duket se bankat nuk bëjnë diskriminim ndaj një monedhe të caktuar dhe janë elastike në përmbushjen e kërkesave të emigrantëve dhe të familjeve të tyre.
Bankat shqiptare u pyetën rreth ekzistencës së marrëveshjeve me banka në vendet e emigrantëve dhe në dallim nga vrojtimi i vitit 2007, vetëm 2 banka raportojnë të kenë marrëveshje me bankat e vendeve pritëse të emigrantëve. Vlen të përmendet që në vrojtimin e mëparshëm, ky numër ishte 10 banka dhe se vendet kryesore të marrëveshjeve ishin Italia dhe Greqia. Vetëm 3 banka raportojnë se ofrojnë një shërbim në kohë reale të transfertave të parave (d.m.th një shërbim brenda 24 orëve), ndërsa 9 banka kërkojnë dy ditë për të transferuar paratë. Kanë qenë 8 banka në vrojtimin e vitit 2007 që raportonin transferta në kohë reale për dërgesat e emigrantëve.
Të gjitha bankat u përgjigjën që ata përdorin SWIFT-in për kryerjen e transfertave dhe 2 banka raportuan se përveç SWIFT-it, përdorin edhe metoda të tjera. Duket se bankat e kanë zhvendosur vëmendjen nga dërgesat në para të emigrantëve, edhe pse fluksi i dërgesave është i madh dhe një pjesë e këtij fluksi është i kanalizuar jashtë kanaleve formale të dërgimit.
Banka e Shqipërisë sugjeron se, bankat duhet të rikthejnë vëmendjen në biznesin e dërgesave pasi: së pari, është me përfitim për to prej komisioneve që përfitojnë për shërbimin e kryer; së dyti, dërgesat në valutë janë një burim të ardhurash nga shkëmbimi valutor për bankat; së treti, bankat mund të shesin produkte të tjera të lidhura me dërgesat, si për emigrantë dhe për përfituesit e dërgesave, si p.sh. karta debiti, krediti, kredi konsumatore etj. Duke u zhvendosur nga tregu i transfertave të parave, bankat e kanë vendosur veten në pozicion të pafavorizuar në lidhje me operatorët e transfertave të parave.
Bankat nuk kanë plane për emigrantët
Institucionet financiare janë pyetur nga Banka e Shqipërisë për pritshmërinë dhe planifikimin e ardhshëm të aktivitetit të tyre lidhur me ofrimin e produkteve dhe shërbimeve të reja për dërgesat e emigrantëve. Vetëm një bankë me 5.3% të aktiveve të sistemit ka pritshmëri pozitive për planifikim të ofrimit të produkteve të tilla në të ardhmen (nga 9 banka, të cilat në vitin 2007 planifikonin të ofronin produkte të reja për emigrantët). Lloji i produktit të përzgjedhur sipas prioritetit është “depozitim” dhe më pas “karta të parapaguara”. 11 banka janë përgjigjur “JO”, d.m.th 93.2% e sistemit bankar shqiptar nuk ka në planet e ardhshme, vëmendje të shtuar dhe ofrim të produkteve të reja ndaj dërgesave të emigrantëve. Pritshmëri më optimiste ndaj ofrimit në të ardhmen të produkteve për emigrantët duket se kanë institucionet e mikrofinancës. Janë 13 institucione, nga 34 që i janë përgjigjur pyetësorit, të cilat planifikojnë të shtojnë produkte të reja për emigrantët dhe dërgesat e tyre në të ardhmen. Lloji i produkteve dhe shërbimeve financiare që ato planifikojnë t’u ofrojnë emigrantëve shqiptarë ndryshon nga ajo që planifikojnë bankat.
Institucionet mikrofinance, përveç ofrimit të produkteve të reja të lidhura me depozitimin e dërgesave, si dhe bankat kanë pritshmëri për ofrimin e produkteve të lidhura me kreditimin e strehimit, e cila është zgjedhja e dytë e sektorit. Ajo që i dallon edhe më shumë pritshmëritë e dy sektorëve është se institucionet mikrofinancë në dallim nga bankat, kanë përzgjedhur si produkte që do të planifikojnë në të ardhmen ato të lidhura me “ndërmjetësim për investime dhe menaxhim portofolesh” si dhe “skema afatgjata kursimi”.
Qasja e institucioneve jobanka ndaj tregut të dërgesave të emigrantëve është e ndryshme nga ajo e bankave. Këto institucione janë më të vëmendshme ndaj tregut të dërgesave, pasi kanë ofruar produkte që u shërbejnë specifikisht emigrantëve dhe familjarëve të tyre, si dhe planifikojnë t’u shërbejnë edhe në të ardhmen produkte që u përshtaten zhvillimeve të reja dhe evoluimit të ciklit të zhvillimit të remitancave.