Edmond Leka: Objektiv nxitja e shërbimeve inovatore që orientojnë tregun drejt ndryshimit
Kompanitë nuk e matin suksesin e tyre në fund të një viti vetëm me sa para fituan apo humbën. Është një peshore që merr në vlerësim edhe ndryshimin pozitiv që ajo ka sjellë në treg, ndikimin në jetën sociale jo vetëm të atyre që punëson, por edhe atyre që përdorin shërbimet apo produktet që ofrohen. Z.Edmond Leka, bashkëthemelues i Union Financiar Tiranë shpreh pikërisht këtë koncept mbi historikun çerekshekullor të kompanisë duke vënë theksin se edhe në të ardhmen, busulla e rritjes do të jetë pikërisht ajo e ndryshimeve inovatore që i shërben pozitivisht tregut.
Cila ishte shtysa për hapjen e Union Financiar Tiranë, 25 vite më parë?
Ishte shumë evidente nevoja që tregu kishte për një shërbim të “transfertave të parave” në kushtet kur vendi kishte përjetuar një emigracion aq të madh sa ai në periudhën 1990-1995. Qindra mijëra shqiptarë tashmë punonin në vendet ku kishin emigruar dhe kishin nevojë për një mënyrë të shpejtë e transparente për të ndihmuar familjet e tyre që kishin mbetur në Shqipëri. Po aq i rëndësishëm ishte fakti që Bankat shtetërore (Banka e Kursimeve, Banka Kombëtare Tregtare dhe Banka Bujqësore), të cilat operonin në ato vite në Shqipëri, ishin pak ose aspak të interesuara për të ofruar shërbime të reja, që u përshtateshin këtij lloj klienti.
Si ishte ecuria e kompanisë në vitet e para dhe si erdhi zgjerimi në Shqipëri, rajon e më gjerë?
Pas fillimit të punës me një e më pas dy agjenci, të cilat i operonim direkt, ne zgjeruam shërbimin me një rrjet agjencish në Tiranë e në qytetet kryesore, për tu shtrirë edhe më tej në vend e për të qenë sa më afër klientit që kishte nevojë për këtë shërbim. Dhe duhet të kemi parasysh që emigracioni pati prekur të gjithë vendin dhe nuk ishte një fenomen rajonal. Sapo arritëm mbulimin e territorit e të popullsisë në Shqipëri, menjëherë i hodhëm sytë nga vendet fqinje ku jetojnë shqiptarët. Kjo është thjesht e natyrshme, pasi duke na u dashur të punojmë me diasporën në Europën Perëndimore apo në SHBA, kuptuam se nuk ke të bësh vetëm me shqiptarë nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, apo Mali i Zi dhe biznesi i transfertave të WU kishte një potencial po aq të madh sa nga Shqipëria, edhe në Kosovë, apo në Maqedoninë e Veriut. Kosova nuk ishte e aksesueshme në vitin 1998, pasi regjimi i Milosheviçit ishte në një fazë terrori e marrëzie që më tej u përshkallëzua në krizën e 1999-ës, kështu që ne zgjodhëm të fillojmë me Maqedoninë. Në Maqedoni, puna për ofrimin e shërbimit filloi që në 1998 me themelimin e UFS (Unioni Financiar Shkup). Në Kosovë kemi shkuar menjëherë pas hyrjes së trupave të NATO-s dhe kemi nisur shërbimin disa muaj më vonë, pas themelimit të kompanisë UFP (Unioni Financiar Prishtinë). Në të dyja këto vende, vështirësitë ishin në ngritjen e biznesit lokal, duke qenë se në Maqedoni nuk ishte një klimë shumë e favorshme për sipërmarrje shqiptare që donin të fillonin punë në atë vend, në ato kohë, kurse në Kosovë, vendi ishte totalisht i shkatërruar nga lufta dhe mungonin elemente thelbësore për të bërë biznes, si telekomunikimi apo energjia elektrike.
Pasi nisëm punë, ishte më e thjeshtë të kishim klientët e parë, sepse ne tashmë ishim të pranishëm në diasporë në komunitetin mbarëshqiptar atje dhe thjesht e përcillnim mesazhin për shërbimin tek të gjithë shqiptarët atje e jo më vetëm tek ata të Shqipërisë.
Këto përvoja pozitive i dhanë edhe Western Union komfortin dhe besimin që kishte të bënte me një institucion profesionalisht të aftë dhe me integritetin e nevojshëm për të ofruar shërbimin e tij. Kjo ishte arsyeja që e bëri të na konsideronte si partner të zgjedhur kur vendosi të zgjeronte gamën e ofruesve të shërbimit të WU në Zvicër apo në Kroaci.
Zvicra është një vend ku emigrantët shqiptarë (sidomos nga Kosova e Maqedonia) kanë një prani masive. Kjo e ndihmon shumë biznesin aty sepse sigurisht që në rrjetin e UFC ata gjejnë shërbim cilësor e të ofruar edhe në shqip, arsye që na zgjedhin ndaj ofertuesve të tjerë.
Po ashtu, një lojtar tashmë rajonal si UFT do të ishte një nga lojtarët që u ftuan nga WU kur morën në konsideratë rritjen e numrit të partnerëve, të cilët ofrojnë shërbimin në Kroaci. Ne e pranuam sfidën, normalisht tashmë si një ankorim paraprak në WU, për të synuar edhe më shumë në atë treg.
Si u përshtat ecuria e kompanisë me zhvillimet ekonomike të vendit dhe si i ndoqi ajo tendencat konsumatore?
Kompania u fut më pas në një fazë të re zhvillimi, duke synuar zgjerimin e rrjetit të agjencive tashmë të branduara “Unionnet”, për të shkuar sa më afër klientit, por edhe për të ofruar cilësi dhe standard në shërbim. Në këtë fazë, krahas shërbimit të transfertave, nisëm t’i ofrojmë klientit shërbime të tjera cilësisht në Agjencitë e Unionnet, si nga kompani të vet Union Grup, por edhe në bashkëpunim me palë të treta. Klientët tanë mund të bënin pagesa nga më të shumëllojtat, të blinin produkte të biletarisë së udhëtimit, produkte të sigurimit, të telefonisë apo shërbime të korrierit ndërkombëtar apo lokal, pranë këtyre Agjencive, duke përfituar shërbime me standarde e me besueshmërinë, të cilat këta klientë i vlerësonin që nga përvoja e tyre në këto Agjenci me shërbimin e transfertave të WU. Brandi i “Unionnet” është tashmë një brand i besuar për klientët që përfitojnë këto lloj shërbimesh apo produktesh. Janë më shumë se gjysmë milionë klientë që e përdorin këtë rrjet çdo muaj për këto shërbime që përmenda më lart dhe ky numër rritet vazhdimisht.
UFT sot është një nga grupet financiare kryesore në vend. Si do ta vlerësoni ecurinë dhe diversifikimin e tij (këtu i referohemi faktit në investimin e UFT në UB nga 2006, PL etj.)?
Nevojat e klientit kanë evoluar me kohën dhe në vetvete, ato kanë qenë gjithmonë referencë për të përcaktuar objektivat tanë në UFT. Ne kemi bërë në vijimësi një ndjekje të këtij evolucioni dhe kemi qenë të vazhdueshëm në ofrimin e shërbimeve në pararojë me kohën, duke i dhënë klientit atë “element shtesë” që të bëjë zgjedhjen për të ardhur e për të marrë shërbimin e pagesës, apo produktin bankar. Ky “element shtesë” ka qenë standardizimi i shërbimit, zgjidhja teknologjike e ofruar, produkti i ri dhe atraktiv, apo mënyra transparente e ofrimit të shërbimit nga ana jonë. Kjo na ka bërë që të ndjekim jo vetëm një strategji diversifikimi brenda fushës së shërbimeve financiare, por edhe një strategji të inovacionit e të kërkimit të “elementit shtesë”, për të qenë zgjedhja e klientit për atë lloj shërbimi. Kjo ka çuar në investime strategjike si PayLink, që synon të jetë një “kompani fintech”, me një pozicionim unik në tregun financiar në Shqipëri, apo në investime teknologjike në Union Bank, që e bëjnë nga Bankat me ofertë të plotë të produkteve inovative në karta apo në ofertën e saj për banking në internet, por edhe në licencën e e-money të marrë nga vet UFT, apo nga filiale të saj në vende të tjera, për një produkt i cili sigurisht do të ofrojë më tej produkte pagesash inovative për klientët e saj e më gjerë.
Nëse do të mund të bëni një vlerësim, në këto 25 vite, si ka evoluar ekonomia vendëse dhe sjellja konsumatore dhe si u jeni përshtatur apo i keni paraprirë këtyre zhvillimeve?
Ne kemi qenë gjithmonë të vëmendshëm ndaj kërkesave të klientelës dhe gjithnjë e kemi paraprirë ndryshimin. Kujtoj se kemi qenë të parët që ofruam krahas transfertave në $ (dollarë amerikanë) edhe opsionin e transfertave me pagesë në Lek, duke parë që një pjesë e mirë e klientelës sonë e kishte këtë nevojë, pasi praktikisht bëhej fjalë për financim të konsumit ditor të familjes. Me kalimin e Europës në monedhën Eur, ne ofruam pagesën në Euro për të gjithë klientët tanë, të cilët kishin këtë preferencë (dhe janë shumica e tyre), pasi ata jetonin në një vend që përdorte Euro e donin që edhe të afërmit të merrnin po Euro. Tashmë në Shqipëri ofrohet edhe shërbimi i transfertave nga interneti nëpërmjet WU.com dhe është i vlefshëm për të dërguar para në të 220 vendet dhe 550.000 agjencitë në të gjithë botën ku ofrohet shërbimi i WU.
Si e vlerësoni ecurinë e kompanive kryesore të grupit për vitin 2019 dhe ecurinë e tyre në vitet e fundit?
Viti 2019 ishte një vit mjaft pozitiv, si për Union Bank, edhe për Landeslease apo PayLink. Union Bank përfundoi me sukses integrimin e IC Bank, të cilën e bleu një vit më parë. Kjo i dha jo vetëm një përmasë më të madhe në treg, duke arritur shifrat prej rreth 5% të tregut për treguesit më të rëndësishëm në Sistemin Bankar Shqiptar, por edhe një format më performues dhe më eficient për një rritje edhe më të madhe në vitet në vijim. Landeslease e rriti edhe më shumë portofolin e leasing, duke arritur në pozicionin e dytë në treg në vend, me rreth 14%. Ndërsa PayLink, ka tashmë jo vetëm ofertë për personalizim për klientët në pjesën më të madhe të bankave në vend, por vijon edhe rritjen e të ardhurave nga procesimi i transaksioneve bankare dhe duke mundësuar bankat që shërben, të integrojnë funksionalitete të reja në tregun bankar shqiptar. PayLink është konsoliduar tashmë si një pol i rëndësishëm në aspektin e teknologjisë inovative në industrinë e shërbimit të pagesave.
Nëse mund të bëni një vlerësim, cili ka qenë ndikimi i grupit në ekonominë e Shqipërisë në këto 25 vite?
Për vet pozicionin që kemi pasur në fushën e shërbimeve financiare gjatë këtyre 25 viteve në Shqipëri dhe të faktit që UFT e konsolidon rezultatin financiar të filialeve të saj në Shqipëri, është e rëndësishme të vëmë në dukje edhe elementët e zhvillimit që janë të lidhura me shërbimet, të cilat ne ofrojmë dhe impakti që këto kanë promovuar në Shqipëri. Jo vetëm mundësimi i remitancave është një kontribut zhvillimi për vendin, por edhe kreditimi i individëve apo i kompanive tregtare e prodhuese është një element që promovon zhvillim. Po njësoj është novacioni teknologjik në fushën e pagesave që UFT apo PayLink kanë në misionin e tyre. Është një promotor i eficiencës dhe indirekt, një mundësues i përfitimit të zhvillimit teknologjik nga palët e treta, që i përdorin këto shërbime pagesash. Kjo më bën realisht krenar dhe ndihemi të privilegjuar që kemi këtë rol të dyfishtë në promovimin e zhvillimit të vendit, jo vetëm me krijimin e punësimit në kompanitë tona, por dhe me anë të vetëofrimit të shërbimeve prej tyre.
Cilat janë planet e grupit për të ardhmen? Cilët janë ata sektorë që shikoni me interes për zgjerim dhe diversifikim?
Vet fusha e financës është në një evolucion të vazhdueshëm në vitet e fundit dhe jam i sigurt që ky zhvillim do të akselerohet në vitet në vijim dhe do të përfshijë të gjithë kompanitë tona në këtë fushë. Por, do të shtoja se përfshirja gjithmonë e më shumë e një brezi të ri në drejtimin e kompanive të grupit do të mundësojë jo vetëm të rriten dhe të forcojnë më tej rolin në tregun ku operojnë, por edhe të zgjerojnë fushat ku kanë investuar deri më sot.