UFT-Union Bank/ 20 vite sponsorizim për Kombëtaren Shqiptare të Futbollit
UFT-Union Bank/ 20 vite sponsorizim për Kombëtaren Shqiptare të Futbollit
Një histori suksesi nisi 20 vite më parë. Vetëm pesë vite nga krijimi, në vitin 2000, Union Financiar Tiranë, përfaqësuesi zyrtar i Western Union në Shqipëri, ia doli të sillte një frymë të re në sportin e futbollit dhe marketingut në vend.
Union Financiar Tiranë u bë sponsori i parë zyrtar i Kombëtares Shqiptare të Futbollit.
Z. Edmond Leka, bashkëthemelues i Union Financiar Tiranë, ndër të tjera në rrëfimin e tij thotë: “Ne ishim aktiv prej 4-5 vitesh me transfertat ndërkombëtare të Western Union dhe audienca jonë kryesore duhej të ishin emigrantët shqiptarë kudo në Europë. Po flasim për një kohë kur një pjesë e tyre ishin në pamundësi për të lëvizur dhe për ta vizituar Shqipërinë çdo vit siç ndodh tani. Kështu që nuk ishte vetëm fjala për një ndeshje futbolli. Për ata, Kombëtarja ishte një copë mëmëdheu që ju vinte në vendin ku punonin dhe ishte një takim me gjithkënd që ata kishin lënë mbrapa në Shqipëri. Kanë qenë vite relativisht të vështira në mjaft aspekte, si për vendin, ashtu edhe për Federatën. Gjithçka është imagjinuar nga e para. Federata nuk kishte asnjë marrëdhënie komerciale të konceptuar më parë, dhe gjithashtu edhe ne nuk kishim një marrëdhënie komerciale të këtij niveli me Federatën e Futbollit apo me një ekip futbolli. Them se kemi bërë një gjë që e vendosi Shqipërinë dhe Kombëtaren tonë në nivelin e ekipeve me të cilat Kombëtarja rivalizonte. Ishim të pozicionuar mjaft mirë në renditje për sa i përket aspektit komercial”.
Ndërsa, Ish-Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Z.Sulejman Starova kujton: “Ishte një arritje shumë e rëndësishme për kohën. Gjithçka ka nisur nga kërkesa që është bërë nga vëllezërit Leka, të cilët ishin shumë të interesuar dhe kishin vizion shumë të gjerë që për kohën ishte shumë i avancuar. Më kujtohet shumë mirë që ishin disa xhupa të bukur dhe materiale sportive me logon Western Union dhe FSHF. Ishte një impakt shumë i madh. Akoma sot ruaj atë kujtim të bukur të xhupit. Ishte një ngjyrë karakteristike e verdha e Western Union. Një xhup me logon e kompanisë dhe të FSHF-së e kam si relike në shtëpi”.
Rritja dhe zgjerimi i shërbimit Western Union në Shqipëri ka ecur paralelisht me sponsorizimin e Kombëtares, duke mbështetur atë dhe mijëra emigrantë në mbarë botën, të cilët nëpërmjet transfertave të kryera, ndihmojnë familjarët e tyre.
Në vitin 2010 nis një tjetër rrugëtim i gjatë ku këtë herë është Union Bank që vazhdon traditën e brandit Western Union të Union Financiar Tiranë duke u bërë sponsor i Kombëtares shqiptare të futbollit. Union Bank vazhdon të jetë ende sponsor i Kombëtares shqiptare. (Në vitin 2006 UFT themeloi Union Bank, si bankë me kapital 100% shqiptar).
Union Financiar Tiranë do të jetë kudo për të mbështetur edukimin dhe zhvillimin ekonomik e social, por në veçanti përfaqësuesen shqiptare të futbollit, me shpresën se shumë shpejt historia do të përsëritet për ekipin kuqezi, duke u bërë sërish pjesëmarrës i kampionateve të rëndësishme ndërkombëtare, si ai i Europianit 2016.