Tirana, Albania
+355 42 234 979

Union Financiar Tiranë, edhe më pranë shqiptarëve, me sponsorizimin e Kombëtares

job_application_thumb

Union Financiar Tiranë (UFT), agjenti i vetëm i Western Union Financial Services Inc. për Shqipërinë, ka kënaqësinë të njoftojë rikthimin si sponsor i drejtpërdrejtë i Kombëtares Shqiptare.

Union Financiar Tiranë ka arritur një marrëveshje trevjeçare me Federatën Shqiptare të Futbollit, si sponsor i Kombëtares.

Me sloganin “Gjithmonë Pranë Jush” do të jemi si gjithmonë në shërbim të klientëve tanë, por edhe pjesë e sfidës së madhe të Kombëtares Shqiptare, në rrugëtimin e saj në “Euro 2024” e më tej. Jemi të lumtur që mbështesim djemtë që na kanë bërë krenarë, duke bërë histori me kualifikimin e tyre në “Euro 2024”. Ne do të jemi gjithnjë pranë jush, duke ndarë emocionet e çdo goli, apo dhe rasti të humbur, ashtu siç do të jemi gati që t’ju ofrojmë shërbimin më të mirë klientëve tanë në çdo moment. Le të bëjmë së bashku tifo për Kombëtaren në shtëpi, bare apo të brohorasim në Stadium.

Ne po vazhdojmë historinë e suksesit të nisur 24 vite më parë, kur Union Financiar Tiranë, që kishte vetëm pesë vite që ishte krijuar, ia doli të sillte një frymë të re në botën e futbollit dhe të marketingut njëkohësisht, duke u bërë sponsori i parë dhe i vetëm zyrtar i Kombëtares Shqiptare të futbollit.

Administratori i Union Financiar Tiranë, z. Elton Çollaku, u shpreh entuziast për vijimin e këtij bashkëpunimi në këtë moment historik, ndërsa të gjithë shqiptarët presin të ndjekin skuadrën tonë Kuqezi në “Euro 2024”. “Mbështetja jonë e vazhdueshme e ekipit përfaqësues, na sjell më pranë me mijëra familje sportdashëse shqiptare që jetojnë në Shqipëri apo në botë”.

Federata Shqiptare e Futbollit shpreh vlerësimin për vazhdimësinë e traditës me sponsorin e parë të Kombëtares, Union Financiar Tiranë. “Union Financiar Tiranë ka qenë përherë i pranishëm për futbollin shqiptar, jo vetëm në sukseset e Kombëtares, por edhe në ditë të vështira, duke kontribuar në zhvillimin e këtij sporti në Shqipëri”.

Union Financiar Tiranë, Institucion i Parasë Elektronike, është agjenti i vetëm i Western Union Financial Services Inc. për Shqipërinë që nga viti 1995 dhe operon në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Kroaci dhe Zvicër. Gjatë 29 viteve të aktivitetit në Shqipëri, UFT ka ngritur rrjetin më të gjerë të pikave të shërbimeve anembanë vendit, me mbi 700 agjenci Unionnet – Western Union dhe mbi 100 produkte e shërbime financiare.

UFT ofron gjithashtu platformën e pagesave online “UPay”, që ka sjellë zgjidhje dhe lehtësi si për individët, edhe për biznesin. UPay është terminali i pagesave dhe portofoli dixhital për të gjithë klientët që po na ndjekin në sfidat që sjell dixhitalizimi dhe zhvillimi i pandalshëm i teknologjisë.