Tirana, Albania
+355 42 234 979

UNION FINANCIAR TIRANË, 25 vjet pranë klientëve në tregun e shërbimeve financiare

Në 23 tetor të vitit 1995, Union Financiar Tiranë (UFT), përfaqësuesi i Western Union Financial Services INC. në Shqipëri, realizoi transfertën e parë të parave në vend.

Union Financiar Tiranë është gjendur pranë shqiptarëve që në vitet e para të tranzicionit të vendit, kur shqiptarët e çliruar nga vite izolimi e skamja, emigruan në numra të mëdhenj dhe në të gjithë vendet e mundshme, në kërkim të një jete më të mirë. Por, gjithnjë me kokën pas, tek të afërmit, duke i mbështetur familjarët e mbetur në Shqipëri me transfertat e parave Western Union.

Bankat shtetërore, të cilat operonin në ato vite në Shqipëri, ishin mjaft të angazhuara me transformimin e tyre në banka tregtare të formatit të ekonomisë së tregut. Për pasojë kishin pak kohë/interes për të ofruar shërbime të reja, që i përshtateshin këtij lloj klienti. Shërbimi Western Union u bë praktikisht i vetmi që u mundësonte emigrantëve kudo që ndodheshin këtë lidhje me familjet e tyre.

Shumë shpejt, UFT u zgjerua në gjithë trevat shqipfolëse. Në vitin 1998 u nënshkrua marrëveshja e përfaqësimit për Maqedoninë e Veriut, me Western Union Financial Services Inc. dhe në 2000, u hap dega e parë në Kosovë. Në vitin 2005, nënshkruhet marrëveshja e përfaqësimit me Western Union Financial Services Inc. për shërbimin e transfertave të parave në Zvicër dhe në vitin 2016, fillon shërbimet Western Union edhe në tregun kroat.

Ne jemi krenarë sot që, këto 25 vjet, UFT ka kryer më shumë se dhjetëra milionë transferta në Shqipëri, duke mundësuar ardhjen në vend të disa miliarda euro në dërgesa nga emigrantët, nga më se 220 shtete (apo territore) të botës.

Gjatë këtij rrugëtimi, Union Financiar Tiranë është krenar që ka qenë partner i Western Union, një kompani e cila, jo vetëm ka një histori qindravjeçare suksesi, por është edhe një nga shembujt e gjallë të transformimit, në përputhje me kërkesat e klientëve dhe zhvillimet teknologjike. Tashmë, transfertat e parave Western Union mund të kryhen edhe online nga Shqipëria, sikurse edhe nga rreth 80 vende të tjera të botës, duke sjellë një risi tjetër për tregun shqiptar edhe 25 vite pas fillimit të shërbimit. Përshtatja ndaj nevojave konsumatore, përqafimi i inovacionit, si dhe diversifikimi i vazhdueshëm, do të jenë gjithnjë bashkudhëtarët tanë.

Krahas transfertave të parave të Western Union, sot në agjencitë tona klientët gjejnë të gjitha shërbimet e pagesave të nevojshme për konsumatorin familjar, duke iu krijuar kështu mundësi në likuidimin e detyrimeve të tyre. UFT e ka zgjeruar vazhdimisht rrjetin e agjencive “Unionnet – Western Union”, për t’u gjendur sa më pranë klientit, por edhe për të ofruar cilësi dhe standard në shërbim, duke qenë referencë e tregut për shërbimet e pagesave.

Aktualisht, në kompanitë e grupit punojnë rreth 1000 profesionistë e personel mbështetës, që me punë e përkushtim çojnë përpara misionin tonë.

Në jubile të këtij çerekshekulli, jemi krenarë për arritjet tona. Jemi rritur dhe kemi ndryshuar shumë. Union Financiar Tiranë është kthyer në këto vite në një lider të padiskutueshëm në fushën e transfertave të parave dhe shërbimeve financiare. Por gjithashtu është diversifikuar dhe zgjeruar gradualisht në Shqipëri, rajon e më gjerë, nëpërmjet investimeve të vazhdueshme për krijimin dhe evoluimin e disa institucioneve të rëndësishme financiare si Union Bank, LandesLease, Paylink e të tjera nisma, që kanë kontribuar e vazhdojnë të fuqizojnë sistemin financiar shqiptar.

Që prej fillimit e deri më sot, vlerat tona bashkëshoqëruese në biznes kanë qenë dhe mbeten, korrektësia dhe përgjegjësia në ofrimin e shërbimeve ndaj klientit. Këto, në përputhje të plotë me kuadrin ligjor e parametrat e shërbimit, në transparencë të plotë në çdo aspekt të biznesit tonë, me përgjegjshmëri sociale dhe kontribut të vazhdueshëm në komunitet. Dhe, së fundi, por jo më pak e rëndësishme, marrëdhëniet e qëndrueshme me stafin dhe me partnerët tanë.

Sot, ndërsa festojmë këtë përvjetor të fillimit të një rrugëtimi që na ka sjellë deri këtu, ndiejmë detyrim të bëjmë një falënderim të sinqertë për klientët, stafin dhe partnerët tanë, për sa na kanë ndihmuar në këto 25 vite. Dhe, duke ju premtuar njëkohësisht, se do të vijojmë me angazhimin maksimal të respektojmë ato që kanë qenë vlerat të cilat e kanë mundësuar këtë sukses!

RRETH UNION FINANCIAR TIRANË

Union Financiar Tiranë është agjenti i vetëm i Western Union Financial Services Inc. për Shqipërinë, që nga viti 1995. Me shërbime financiare të shpejta, të sigurta dhe të besueshme, UFT operon në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Kroaci dhe Zvicër. Në Shqipëri, kemi mundësuar ngritjen e rrjetit më të gjerë të pikave të ofrimit të shërbimeve financiare anembanë vendit. Me mbi 600 agjenci Unionnet – Western Union, ne mundësojmë kryerjen e të gjitha pagesave vetëm në një sportel.

Union Financiar Tiranë zotëron një portofol të larmishëm investimesh në Shqipëri dhe jashtë saj. Në vitin 2006, UFT themelon Union Bank, si bankë me kapital 100% shqiptar dhe në 2012 krijohet PayLink, një kompani e teknologjisë dhe procesimit të pagesave ndërbankare, po nga investimi 100% i UFT. Kontributi për mbështetjen e sipërmarrjeve të reja dhe të shërbimeve inovative për tregun është pjesë e ADN-së sonë e do të vijojë edhe më tej.