Z. Ilir Gëdeshi: Remitancat, një “sektor” i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare
Zoti Gëdeshi, a mund të na thoni se çfarë roli kanë pasur remitancat në këto tri dekada në ekonominë shqiptare dhe në familjet përfituese gjithashtu?
Remitancat e emigracionit shqiptar, nw tri dekadat e tij, përbëjnë aspektin më të dukshëm të përfitimeve nga emigracioni, por njëkohësisht edhe të një mundësie që nuk është përdorur siç duhet për zhvillimin ekonomik e social të vendit. Deri në prag të krizës ekonomike globale, remitancat përfaqësonin 10 deri 22% të PBB të vendit (thuajse përmasat e një sektori ekonomik), ishin më të larta se eksportet, Investimet Direkte të Huaja dhe ndihma për zhvillim që përfitonte Shqipëria, dhe mbulonin një pjesë të deficitit tregtar të vendit. Ato kanë luajtur rol të rëndësishëm në zbutjen e varfërisë të shumë familjeve në Shqipëri, duke përbërë një faktor që dallonte familjet e “varfra” nga ato “jo të varfra”. Remitancat kanë qenë gjithashtu një faktor i rëndësishëm që kanë përcaktuar një nga tiparet e ekonomisë shqiptare gjatë periudhës së tranzicionit pas-socialist: ekstroversionin, domethënë që konsumi i brendshëm është më i lartë se prodhimi kombëtar dhe diferenca është mbuluar nga burimet e jashtme. Nga pikwpamja e ndikimit të tyre në zhvillimin ekonomik, studimet tregojnë se vetëm një pjesë e vogël e tyre është investuar në ekonomi.
Që nga fundi i viteve ‘90, ne kishin paralajmëruar se remitancat e emigrantëve shqiptarë, të cilat në atë periudhë njihnin një rritje të shpejtë, mund të uleshin në të ardhmen si rezultat i ndryshimit të modelit të emigrimit ose “maturimit të ciklit të emigrimit”. Në vitet ’90, emigronin kryesisht meshkujt, të cilët të gjitha kursimet i dërgonin si remitanca për familjet e tyre në vendlindje. Në fillim të viteve 2000, si pasojë e legalizimit në vendin pritës dhe bashkimit familjar, ky model ndryshoi. Krahas kësaj, familjet shqiptare filluan të integrohen në vendin pritës, fëmijët të shkonin në shkollë, shpenzimet e jetës së përditshme të rriteshin dhe rrjedhimisht, remitancat që dërgonte një emigrant të uleshin. Në rast se kurba e remitancave vazhdoi të rritej deri në 2007, kjo shpjegohet me intensitetin e lartë të emigrimit shqiptar. Duke filluar nga viti 2008, ‘maturiteti i ciklit të emigrimit’ dhe ndikimi i krizës ekonomike globale bashkohen, duke sjellë një ulje drastike të kurbës të remitancave në Shqipëri, pasojat socio-ekonomike të të cilave u vërejtën në shumë aspekte të jetës ekonomike e sociale.
Cili është profili i familjeve që kanë përfituar më së shumti dhe në cilat bashki?
Gjatë tri dekadave, emigrimi ka prekur pjesën më të madhe të familjeve shqiptare dhe të gjitha grupet socio-ekonomike të shoqërisë. Por këtu mund të theksojmë disa veçori. Familjet shumë të varfra, të cilave u mungon kapitali human, social dhe financiar, e kanë shumë të vështirë të emigrojnë. Rrjedhimisht ato kanë përfituar shumë më pak nga remitancat e emigracionit. Familjet e tjera, të varfra dhe të mesme, nga zonat rurale dhe urbane, kanë përfituar. Por edhe profili i emigrantëve dhe rrjedhimisht profili i familjeve që përfitojnë nga remitancat, ka ndryshuar. Deri në prag të krizës ekonomike globale, emigrimi ishte më shumë i motivuar nga pikëpamja ekonomike (varfëria dhe niveli i ulët i jetesës, papunësia dhe nënpunësimi, pagat e ulëta, mbrojtja e pakët sociale). Rrjedhimisht, familjet nga bashkitë me nivel të ulët ekonomik dhe nga zonat kufitare ose bregdetare kanë pasur nivel më të lartë emigrimi. Ndërsa aktualisht dëshirojnë më shumë të emigrojnë ata që janë të punësuar, më të kualifikuar, më të arsimuar dhe me të ardhura të mesme e të larta. Por ata do të dërgojnë më pak remitanca.
Për çfarë janë përdorur më së shumti remitancat?
Remitancat e emigracionit shqiptar janë përdorur kryesisht për konsum, në radhë të parë të mallrave të importit, dhe shumë pak, rreth 10-12% (sipas anketimeve tona), për investime prodhuese. Nisur nga ky fakt, ne kemi theksuar që nga fundi i viteve ‘90, se ky model i përdorimit të remitancave në Shqipëri nuk nxit rritjen e prodhimit dhe rrjedhimisht, brezi i ri në mungesë të vendeve të punës detyrohet të emigrojë. Në këtë rast, emigrimi riciklon emigrimin.
A ka vend për politika më eficiente që do të adresonin përdorimin më të mirë të tyre, në mënyrë që t’i shërbenin zhvillimit të qëndrueshëm?
Sigurisht ka dhe ky është thelbi i problemit. Emigrimi si fenomen i ka rrënjët në ekonominë reale, ashtu si dhe në mjedisin social dhe politik të vendit. Në rast se ne e ndryshojmë dhe e përmirësojmë realitetin ekonomik, social e politik të vendit, mundësitë e investimit të remitancave dhe të kursimeve të emigrantëve janë shumë të mëdha. Do të jap një shembull të thjeshtë. Emigrantët shqiptarë dërgojnë një njësi remitance në vendlindje dhe kursejnë 5.1 njësi në vendin pritës. Kështu, në rast se emigrantët shqiptarë dërgojnë 700 milionë euro në Shqipëri si remitanca, ata kursejnë 3.6 miliardë euro në vendin e emigrimit. Në rast se 10% e këtyre kursimeve do të përdoreshin për investime në Shqipëri, ato do të rrisnin me 50% remitancat dhe, ajo që është më kryesore, do të rrisnin cilësinë e tyre, sepse do të përdoreshin për investime, duke krijuar kështu një impuls të ri për zhvillimin ekonomik e social në Shqipëri.
Tendencat e fundit
Studimet tona të fundit tregojnë se emigrimi, edhe në dekadën e tretë të tij, vazhdon me intensitet të lartë dhe padyshim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Emigrimi potencial, sidomos i të rinjve, është shumë i lartë. Studimet tregojnë se kanë ndryshuar disa karakteristika të emigrimit shqiptar të cilat do të ndikojnë te remitancat.
Cikli i emigracionit po vijon me ritme të larta edhe këto vitet e fundit. Si parashikoni ju ecurinë e flukseve të remitancave në dekadën në vijim?
Studimet tona të fundit tregojnë se emigrimi, edhe në dekadën e tretë të tij, vazhdon me intensitet të lartë dhe padyshim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Emigrimi potencial, sidomos i të rinjve, është shumë i lartë. Studimet tregojnë se kanë ndryshuar disa karakteristika të emigrimit shqiptar të cilat do të ndikojnë te remitancat. Krahas intensitetit të emigrimit ka edhe një zhvendosje gjeografike të tij, nga vendet fqinje me të ardhura të ulëta (kryesisht Greqia) në vendet e zhvilluara me të ardhura të larta të Europës Perëndimore (kryesisht Gjermania). Emigrimi shqiptar po merr gjithnjë e më shumë tiparet e braindrain, domethënë emigrojnë të rinjtë e arsimuar dhe të kualifikuar. Rrjedhimisht, kjo rritje sasiore dhe cilësore e flukseve të emigrimit shqiptar drejt vendeve më të zhvilluara dhe me të ardhura të larta do të shprehet në rritjen e fluksit të remitancave. Por, në këtë rast, nuk është e rëndësishme ana sasiore e fluksit të remitancave, por cilësia e tyre. Domethënë sa për qind e tyre përdoren për investime në ekonomi. Në rast se do të vazhdojë tendenca e deritanishme, Shqipëria edhe për një kohë të gjatë, nuk do të dalë nga cikli i emigrimit.