Remitancat – Axhenda globale e emigracionit
Migracioni ndërkombëtar dhe rëndësia e tij janë trajtuar në disa ngjarje dhe forume ndërkombëtare në vite. Rrënjët e para të interesit ndërkombëtar u hodhën me “Planin e Veprimit të Popullsisë Botërore”, i miratuar në “Konferencën mbi Popullsinë Botërore”, mbajtur në Bukuresht të Rumanisë (1974). Kjo u ndoq nga “Rekomandimet për Veprim”, të rëna dakord në “Konferencën mbi Popullsinë Botërore” mbajtur në Meksikë në vitin 1984.
Në të dy eventet, punimet i kushtuan vëmendje nevojës së respektimit të të drejtave të njeriut të emigrantëve, zbutjen e efektit të “largimit të trurit”, mbështetjen e standardeve të punës për punëtorët emigrantë, parandalimin e diskriminimit, promovimin e kontributeve të emigrantëve në zhvillim, kontrollin e fluksit të emigracionit përmes marrëveshjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për situatën e refugjatëve.
Që prej vitit 2006, komuniteti ndërkombëtar ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të integruar migracionin ndërkombëtar në axhendën e zhvillimit global. Pas një sërë diskutimesh ndër vite, dialogu i parë i Nivelit të Lartë në vitin 2006, i mbledhur nga Asambleja e Përgjithshme, iu kushtua ekskluzivisht çështjes së emigracionit dhe zhvillimit ndërkombëtar. Në këtë takim, propozimi i Sekretariatit të Përgjithshëm mbi krijimin e një forumi vullnetar joformal për vazhdimin e diskutimeve mbi emigracionin dhe zhvillimin ndërkombëtar pati një mbështetje të gjerë.
Që nga viti 2007, në Forumin Botëror për Emigracionin dhe Zhvillimin, qeveritë e vendeve pjesëmarrëse kanë shqyrtuar një sërë çështjesh të diskutueshme, të tilla si: të drejtat e emigrantëve, lidhja ndërmjet migrimit dhe mjedisit, si dhe sfidat e emigracionit të detyruar. Gjithashtu, ky forum ka nxitur partneritetet dhe bashkëpunimin, si dhe ka forcuar ndërveprimet me shoqërinë civile.
Një etapë e rëndësishme në historikun e adresimit të migracionit, është Dialogu i dytë i Nivelit të Lartë, i mbledhur në tetor 2013. Asambleja e Përgjithshme miratoi me konsensus një deklaratë historike, duke njohur rolin e migracionit në realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit dhe duke pranuar se lëvizja e njerëzve është një faktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm, dhe si e tillë duhet të përfshihet ne Axhendën e 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm.
Artikull i përgatitur nga Revista Monitor