Intervistë me z. Koço Bode, Administrator i Unisix Sh.p.k Korçë
Me fat që jemi pjesë e një rrjeti model
Unisix Sh.p.k Korçë është agjencia e parë që ofronte shërbimin Western Unìon jashtë Tirane, ai nënkontraktor i Union Financiar Tiranë. Që prej vitit 1997, agjencia ka zgjeruar aktivitetin e saj, në linjë me diversifikimin e shërbimeve të Union Financiar Tiranë.
Administratori i saj, z. Koço Bode pas 23 vitesh e vlerëson në maksimum bashkëpunimin. Padyshim që kur flitet për bashkëpunim nënkuptohet bashkëpunimi mes UFT dhe Rrjetit Model të ndërtuar prej saj Union Net – Western Union, ku ka rastisur e kemi pasur fatin të jemi pjesë prej 23 vitesh, rrjet që vetëm pasurohet në shërbime e përsoset në cilësinë e tyre.
Në cilin vit e keni filluar aktivitetin dhe bashkëpunimin me UFT, për ofrimin e paketës së shërbimeve Unionnet – Western Union?
Agjencia UNISIX Sh.p.k Korçë, aktivitetin e saj si nënkontraktor i UFT-së e filloi në tetor të vitit 1997, si Agjencia e parë që ofronte shërbimin Western Unìon jashtë Tirane, pas Agjencisë së parë e të dytë të hapura në Tiranë nga UFT te Shallvaret (sot Union Bank) dhe te rruga “Mine Peza”, (sot Union Travel). Fillimisht, paketa e bashkëpunimit përmbante vetëm shërbimin Western Union. Më pas, ajo u plotësua me shërbimin Union Travel, që i ka fillesat e veta në këtë periudhë, për të mbërritur gati pas një dekade në rrjetin e plotë të shërbimeve Union Net – Western Union.
Si ka qenë bashkëpunimi me UFT gjatë këtyre viteve?
Padyshim që kur flitet për bashkëpunim nënkuptohet bashkëpunimi mes UFT dhe Rrjetit Model të ndërtuar prej saj Union Net – Western Union, ku ka rastisur e kemi pasur fatin të jemi pjesë prej 23 vitesh, rrjet që vetëm pasurohet në shërbime e përsoset në cilësinë e tyre. Në themel të këtij organizimi e rrjeti të suksesshëm, qëndron drejtimi vizionar e profesional i UFT, i cili transformoi aktivitetin prej Agjencisë së parë të para 25 viteve në një Grup të suksesshëm e të fuqishëm. Mënyra ambicioze e zgjerimi të UFT deri në përmasat e sotme, aplikimi dhe të qenët e saj gjatë këtij çerekshekulli në ballë të zhvillimeve të arritjeve të kohës në fushat e aktivitetit të saj kanë dhënë ndikim të prekshëm edhe në çdo hap të aktivitetit tonë, si përfitues të këtyre sukseseve e shërbimeve.
Cilat janë pikat e forta të Agjencisë suaj?
Pika më e fortë e Agjencisë sonë, si dhe besoj e të gjithë agjencive të tjera të rrjetit Unionnet – Western Union është se ofrojmë shërbime të shumta pagesash në një dyqan. Klienti gjen tek ne transfertat e parave, pagesat e faturave të dritave, ujit, internetit, etj., duke i mbyllur pagesat e familjes vetëm me një ndalesë. Gjithashtu, Unisix si agjencia e parë Unionnet-Western Union në qytetin e Korçës, ka një vendndodhje strategjike të zgjedhur me kujdes që prej fillimit të aktivitetit. Përvoja jonë 23-vjeçare, shërbimi i shpejtë e profesional, kujdesi i treguar ndaj klientëve tanë përbëjnë avantazhe të tjera që kanë ndikuar në suksesin e Agjencisë sonë ndër vite.
A keni një bazë klientele që ju ka ndjekur ndër vite?
Normalisht që kemi një klientelë besnike. Jemi munduar ta ruajmë e ta mbajmë atë nëpërmjet një shërbimi cilësor e respektimit maksimal të saj, profesionalizmit, lehtësisë e shpejtësisë së kryerjes së shërbimit duke ruajtur, duke konsoliduar e duke shtuar aktivitetin edhe në kushtet e rritjes së konkurrencës brenda e jashtë UFT-së. Kujdes të veçantë në këtë drejtim i kushtojmë kualifikimit e trajtimit të vazhdueshëm të stafit të operatorëve tanë të shërbimit, nën drejtimin e kujdesin e qendrës së kualifikimeve e burimeve njerëzore pranë UFT-së. Një falënderim e vlerësim i madh shkon me këtë rast edhe për klientët tanë të Western Union prej diasporës, që për vite e vite me radhë na kanë besuar ne si agjenci, për të qenë klientët tanë, u janë gjendur pranë familjeve në këtë periudhë të vështirë e të gjatë tranzicioni. Por dhe mjaft klientëve të brendshëm, të cilët kanë sakrifikuar jo pak përgjithësisht në arsimimin e fëmijëve jashtë vendit. Një urim e falënderim rezervojmë edhe për gjithë klientët e tjerë, të cilët na besojnë për kryerjen e të gjitha shërbimeve të tjera që ofrojmë në Agjenci, në kuadër të rrjetit Union Net.
Cilat do të kujtonit si disa nga momentet më të rëndësishme apo mbresëlënëse në punën tuaj?
Preferoj të mos ndalem tek ndonjë moment i rëndësishëm apo mbresëlënës, pasi mund të ketë shumë të tillë. Por po ndalem, jo rastësisht, te procesi gjurmëlënës i fillimit të aktivitetit, që nuk lidhet vetëm me një moment, por me vështirësitë e kryerjes së shërbimit në këtë periudhë.
Në fillimet e veta, veprimet e Western Union kryheshin vetëm nga Tirana dhe konfirmimi në Agjenci vinte për ekzekutim përmes fax-it. Një punë e tillë e mundimshme shoqëronte edhe mbylljen e rakordimin ditor mes UFT dhe Agjencisë. Edhe në Tiranë, por edhe kur nënagjencitë fituan “pavarësinë” e kryerjes të veprimeve të Western Union, ato kryheshin vetëm nëpërmjet linjës telefonike me lidhjen dial – up. Kjo ka zgjatur për vitet e para të aktivitetìt dhe nuk mund të krahasohet me kushtet mjaft lehtësuese të shërbimit në ditët e sotme që janë realizuar në vijimësi e mes përpjekjeve të vazhdueshme.
Nga ana tjetër, përballë nesh, në vitet e para të aktivitetit qëndronte edhe një sistem bankar i atrofizuar, që ende nuk kishte nisur rrugën e privatizimit, i cili nuk mund të mbështeste dot një aktivitet normal, si ai i nisur me guxim në këtë periudhë nga UFT. Shpeshherë, gjendja e monedhës në llogari të agjencisë ishte vetëm virtuale, pasi me mjaft vështirësi ne mund të tërhiqnim Cash-in e saj për nevoja pune, për shkak të rregullave në bankë që ndryshonin çdo ditë në disfavorin tonë. Dhe, nga ana tjetë,r na duhet t’i bënim ballë shërbimit të marrë përsipër. Kjo ishte një vështirësi që kërkonte impenjim e sakrificë të madhe për të mos cenuar shërbimin. Situata filloi të përmirësohet e normalizohet me liberalizimin e tregut bankar. Për të përfunduar në mbylljen e këtij cikli brenda aktivitetit të Union Bank si pjesë e Union Grup, që sot feston mes suksesesh dhe arritjesh të merituara këtë jubile.
Ne si nënagjentë prekim e provojmë vazhdimisht këto lloj lehtësish në kryerjen e aktivitetit tonë. Natyrisht, mundohemi të përmbushim detyrimet tona, për të përballuar me sukses në kushtet aktuale edhe konkurrencën në rritje me kompani të tjera që operojnë në treg, por pse jo dhe me nënagjencitë e tjera të rrjetit të UFT.
Në përfundim të kësaj interviste të zhvilluar me rastin e jubileut të 25 të krijimit të UFT, më lejoni të përcjell urimet e mia më të mira për ideatorët, themeluesit dhe drejtuesit e këtij Aktiviteti, që ka njohur në vite vetëm Arritje e Suksese, të cilat e kanë kthyer sot Atë në një prej Grupimeve Model Zhvillimi e Kontributi, jo vetëm brenda vendit. Përcjell gjithashtu edhe urimet për vijimin e aktivitetit dhe festimin mes arritjeve e sukseseve të tilla, edhe të përvjetorëve të tjerë.
Klientët
Jemi munduar ta ruajmë e ta mbajmë klientelën besnike nëpërmjet një shërbimi cilësor e respektimit maksimal të saj, profesionalizmit, lehtësisë e shpejtësisë së kryerjes së shërbimit duke ruajtur, duke konsoliduar e duke shtuar aktivitetin edhe në kushtet e rritjes së konkurrencës brenda e jashtë UFT-së.
Kujdes të veçantë në këtë drejtim i kushtojmë kualifikimit e trajtimit të vazhdueshëm të stafit të operatorëve tanë të shërbimit, nën drejtimin e kujdesin e qendrës së kualifikimeve e burimeve njerëzore pranë UFT-së.