Intervistë me z. Arjan Lesha, Drejtor i Operacioneve, Union Financiar Tiranë
25 vjet transparencë, shpejtësi e profesionalizëm
Arjan Lesha është një nga punonjësit e parë të Union Financiar Tiranë. Ndonëse me profesion inxhinier, ai e lidhi të ardhmen me tregun e shërbimeve financiare. Sot, Z.Lezha është Drejtor i Operacioneve pranë Union Financiar Tiranë. Duke rrëfyer përvojën e tij 25 vjeçare pranë UFT-së, ai tregon nga vështirësitë e fillimit deri në ditët e sotme, ku kompania ka arritur që në vite të kthehet në liderin e transferimit të parave në vend.
Si nisi puna juaj në Union Financiar Tiranë dhe si arritët në pozicionin që mbani sot në kompani?
Ashtu si të gjithë punonjësit më të vjetër të Union Financiar Tiranë, punën në këtë kompani e kam filluar si punonjës sporteli, në agjencinë e parë të Union Financiar Tiranë, UFT 1. Puna konsistonte në kryerjen e transfertave Western Union dhe të këmbimeve valutore. Puna me para ishte krejtësisht jashtë profesionit tim të inxhinierit, por me vëmendje dhe përkushtim u ambientova me kërkesat e pozicionit, një sy i mprehtë për detaje, saktësi në veprime dhe komunikim shumë i mirë me klientët. Pas një përvoje rreth dyvjeçare në sportel, mora pozicionin e Përgjegjësit të Agjencisë UFT 1 dhe në vitin 2002m u emërova Drejtor i Operacioneve të Union Financiar Tiranë, pozicion që e mbaj edhe sot. Jam përpjekur që gjatë këtyre viteve të zbatoj detyrat që më janë ngarkuar me këmbëngulje, përkushtim dhe korrektësi, për të justifikuar besimin që kanë pasur e kanë themeluesit e drejtuesit e kompanisë.
Pozicioni i Drejtorit të Operacioneve ka vështirësitë e tij, pasi mbulon disa sektorë kyç të kompanisë, por bëhet më i lehtë kur bashkëpunon me kolegë të përkushtuar ndaj punës, me të cilët punon prej shumë vitesh dhe në veçanti, me disa prej tyre të bashkojnë edhe fillimet e UFT si kompani.
Nga përvoja juaj 25-vjeçare në kompani, cilat do të kujtonit si disa nga momentet më të rëndësishme apo mbresëlënëse në punën tuaj?
Momentet e para kanë qenë të vështira, për shkak të vetë situatës ku ndodhej vendi ynë dhe problemet ishin të shumta. Kishte probleme të komunikimit (me sistemin e Western Union fillimisht, lidhja bëhej me dial-up), të ndërprerjes me orë të tëra të energjisë elektrike, të dokumenteve të identifikimit të klientëve, të furnizimit me CASH nga bankat, etj. Pavarësisht vështirësive, në çdo moment qëllimi ynë ka qenë t’u shërbejmë klientëve sa më mirë dhe me korrektësi. Me gjithë problematikat e periudhës, kemi qenë gjithmonë strikt në zbatimin e procedurave të shërbimit Western Union, për të vetmen arsye, që asnjëherë të mos gabonim në veprime dhe paratë t’i dorëzoheshin marrësit të përcaktuar. Falë zbatimit me korrektësi të procedurave, klientët kanë marrë një shërbim transparent që ua shtonte besimin në punën tonë. Çdo veprim, nga ana jonë, bëhej që të siguroheshin paratë e tyre.
Momentet mbresëlënëse kanë qenë të shumta. Ka pasur raste që për klientë, të cilët kishin nevojë urgjente për para, është hapur enkas agjencia, megjithëse kërkesa nga klienti për tërheqjen e parave vinte në ditë pushimi, apo jashtë orareve të ofrimit të shërbimit. Klientit i shërbehej sipas nevojës specifike. Por edhe ne ndienim kënaqësi që kishim ndihmuar për të zgjidhur një problematikë, të cilat për familjet shqiptare, duhet thënë se kanë qenë dhe mbeten të shumta.
Kujtoj ditët e fundvitit, kur agjencia jonë qëndronte hapur deri në orët e vona, për t’i shërbyer edhe klientit të fundit, duke i krijuar mundësinë të gjitha familjeve që prisnin paratë nga të afërmit jashtë Shqipërisë, të festonin natën e ndërrimit të viteve.
Në veçanti do të përmend dy momente mjaft delikate për biznesin tonë dhe të gjithë shqiptarët:
12 Mars 1997 – për shkak të situatës në vend dhe po ashtu në Tiranë, për arsye sigurie, shërbimi i transfertave të parave në Shqipëri nuk mund të vazhdonte të ofrohej. Për këtë qëllim, u njoftua edhe Western Union për ndërprerje të përkohshme të shërbimit. Nga drejtuesit e kompanisë, të cilët ishin gjithë kohën të pranishëm, morëm udhëzimin që agjencia nuk do të hapej për publikun dhe duhet të merrnim nga klientët të gjitha kërkesat për tërheqje parash. Procesimi i transfertave në sistem u bë jashtë ambienteve të zyrës, pasi për arsye sigurie kompjuterët u zhvendosën në një ambient shtëpie. Agjencia qëndronte e mbyllur, pasi dëgjoheshin krismat e armëve. Mbasi u procesuan në sistem të gjitha transfertat, bëmë gati nëpër zarfe paratë që i takonin secilit klient dhe i shpërndamë individualisht për secilin në një ambient të sigurt. Rreth orës 15:00, pasi i shërbyem edhe klientit të fundit, u larguam për në shtëpi nën breshëritë e armëve që shtoheshin. Të gjithë klientët morën paratë e tyre dhe nuk kishte më transferta pezull në sistem.
Momenti i dytë ka të bëjë me periudhën gjatë luftës në Kosovë.
Banorët e Kosovës, që kishin lënë shtëpitë për shkak të luftës dhe kishin ardhur në Shqipëri, kishin Western Union si mundësi të vetme për të marrë para nga të afërmit. Në atë kohë, në Tiranë, kishte vetëm dy agjenci Western Union, ku agjencia UFT 1 ishte agjencia kryesore. Që në orët e para të mëngjesit, pa u hapur agjencia, na prisnin radhë të gjata me klientë. Problemet ishin të shumta, sidomos me dokumentet e identifikimit, pasi banorët e Kosovës ishin larguar me ngut nga shtëpitë e tyre. Punohej me një intensitet shumë të lartë e nën presion, por arritëm t’u shërbejmë të gjithë klientëve në kohë, me korrektësi e saktësi dhe duke i asistuar në zgjidhjen e problemeve që mund të kishin.
Gjej rastin të falënderoj gjithë stafin e agjencisë UFT 1 për punën e palodhur, përkushtimin e qetësinë e treguar në ato ditë të ngarkuara.
Cilat janë tendencat kryesore të dërgimit të remitancave dhe si kanë ndryshuar ndër vite?
Në krahasim me vitet e para ka rritje të madhe në numrin e transaksioneve dhe kjo falë shërbimit shumë të mirë, si dhe opsioneve dhe lehtësive që iu ofrohen klientëve për shërbimin. Principali i transfertave ka ardhur në rënie gjatë viteve të fundit. Emigrantët tashmë janë përfshirë në jetën e vendeve ku ndodhen dhe kuptohet që edhe shumat e parave, të cilat iu dërgojnë të afërmve të tyre në Shqipëri, janë më të ulëta.
Nga cilat shtete dërgohen më shumë para drejt Shqipërisë?
Shtete kryesore nga ku dërgohen para për Shqipëri janë Italia dhe Greqia. Kjo është e lidhur drejtpërdrejt me numrin e emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë aty. Këto dy shtete fqinje kanë pritur fluksin e parë të emigracionit nga Shqipëria që në vitet e para të rifillimit të këtij fenomeni për vendin tonë.
A ka rritje të transfertave nga Shqipëria drejt vendeve të tjera?
Po, është rritur numri i transfertave nga Shqipëria jashtë, pasi ka një rritje të numrit të familjeve shqiptare që zgjedhin t’i shkollojnë fëmijët jashtë. Numri i studentëve që studiojnë në vendet e BE-së, apo SHBA e Angli rritet çdo vit, duke ndikuar rrjedhimisht edhe fluksin e transfertave të parave që nisen, si mbështetje nga familjet e tyre për të përballuar shpenzimet e shumta, me të cilat përballen këta të rinj.
Gjithashtu, është rritur numri i shqiptarëve që zgjedhin për pushime vendet jashtë Shqipërisë, të cilët jo rrallëherë përballen me shpenzime të paplanifikuara e situata emergjente, duke gjetur te ne një zgjidhje të shpejtë e të sigurt.
Sa më sipër, përbëjnë dy grupet më të mëdha që ndikojnë në fluksin e transfertave nga Shqipëria, por ka edhe shumë familje shqiptare që për arsye nga më të ndryshmet, u dërgojnë para të afërmve jashtë.
Përse klientët i qëndrojnë besnikë WU, megjithëse ka kompani të tjera që ofrojnë shërbim transferte parash?
Ajo që e dallon Western Union nga transferuesit e tjerë të parave është transparenca e tarifave që aplikon, të cilat janë dhe më konkurrueset në treg. Gjithashtu, thjeshtësia dhe lehtësia që iu ofrohet klientëve për përdorimin e shërbimit, opsionet e shumta të transferimit të parave qoftë në agjenci apo dhe online, si dhe rrjeti shumë i gjerë i agjencive Western Union në të gjithë botën janë avantazhe që na japin epërsi të padiskutueshme në tregun shqiptar dhe atë global.
Transparenca
Në Shqipëri, pavarësisht konkurrencës, klientët vazhdojnë t’i qëndrojnë besnik Unionnet – Western Union për cilësinë e shërbimit, transparencën dhe shpejtësinë e veprimeve që kryejnë në sportelet tona. Me mbi 550 pika shërbimi, ne ofrojmë sot rrjetin me shpërndarje më të gjerë në Shqipëri, ku përveç transfertave të parave, klienti gjen edhe shumë shërbime të tjera pagesash, të cilat procesohen me po aq transparencë, shpejtësi e profesionalizëm.