Flasin Agjentët, Intervistë me z. Sali Hoxha
Në sajë të bashkëpunimit me UFT është siguruar suksesi
Në 25 vjet, Union Financiar Tiranë ka krijuar marrëdhënie besnike dhe të qëndrueshme me agjentët e tij. Z. Sali Hoxha, Administrator i Union B thotë se në sajë të angazhimit tonë maksimal, korrektësisë, si dhe bashkëpunimit të shkëlqyer me Unionin Financiar, aktiviteti ka evoluar dhe është rritur ndër vite. Po ashtu edhe gama e shërbimeve ka evoluar. Klienti arrin të marrë shërbime nga më të ndryshmet në një kohë rekord.
Prej sa vitesh e keni hapur agjencinë dhe çfarë ju shtyu për këtë?
Agjencia jonë e parë u hap në shtator 1998, 22 vite më parë. Ishte rastësi kontakti me një person, i cili më foli rreth një kompanie transfertash parash, me emrin Western Union. Në atë moment, isha liruar nga detyra që kisha në një bankë të nivelit të dyte, ku dhe kisha fituar përvojë për veprimet bankare. Kjo ishte arsyeja që pranova dhe mora kontakte me z. Edmond Leka. Nga takimi kuptova menjëherë se nismëtarët ishin njerëz korrektë, seriozë dhe me shumë vizion. Krijova bindjen se ishte një biznes që më përshtatej dhe se do t’ia dilja kësaj pune.
Si ka ndryshuar dhe është rritur aktiviteti juaj gjatë këtyre viteve?
Në sajë të angazhimit tonë maksimal, korrektësisë, si dhe bashkëpunimit të shkëlqyer me Unionin Financiar, aktiviteti ka evoluar dhe është rritur ndër vite. Nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme të stafit dhe udhëzimeve konform ligjeve dhe rregullave në fuqi që na jepen vazhdimisht, arritëm të bëjmë njerëzit të vetëdijshëm që, tek ne, do të gjenin një shërbim të shpejtë, të sigurt dhe tepër të besueshëm. Me kalimin e kohës, infrastruktura u përmirësua në mënyrë të ndjeshme. Nga qendra u bënë shumë investime, që për ne ishin një ndihmë e madhe. U rrit shpejtësia e shërbimit të klientit. Pavarësisht se janë në funksion shumë kompani transfertash, mendoj se ne kemi qenë gjithmonë një hap përpara në gamën e shërbimeve të ofruara dhe në rritjen konstante të aktivitetit.
Në mënyrë të vazhdueshme janë organizuar takime, ku ne si agjenci kemi shkëmbyer eksperiencat tona, gjë që ka qenë shumë pozitive për të arritur një organizim më të mirë të biznesit. Gjithashtu, zbatimi i rregullave dhe disiplinës financiare na ka bërë më të besueshëm, duke krijuar klientelë të përhershme dhe gjithnjë në rritje.
Sa punonjës keni aktualisht dhe a keni familjarë të punësuar në agjenci?
Në fillimet tona kemi funksionuar si biznes familjar. Me zgjerimin e rrjetit të agjencive, u rrit edhe numri i stafit të punësuar duke arritur deri në 12 punonjës.
Ç’mund të thoni për bashkëpunimin tuaj me UFT? Si ka evoluar ndër vite?
Bashkëpunimi me UFT nuk ka nevojë për koment. Ka qenë tepër korrekt dhe si pasojë, edhe jetëgjatë. Në sajë të bashkëpunimit është siguruar suksesi. Informacione, seminare, udhëzime të përditshme, kualifikime të ndryshme na kanë shërbyer që të kemi një emër të mirë dhe të ofrojmë një shërbim me standarde. Gjithashtu, gama e shërbimeve ka evoluar. Klienti arrin të marrë shërbime nga më të ndryshmet në një kohë rekord.
A ka ndryshime në mënyrën e ofrimit të shërbimit WU, duke e krahasuar me fillimet e tij?
I kemi filluar transfertat e parave nëpërmjet telefonit, faksit, linjës Adsl të internetit. Tani përdorim programe të avancuara dhe kryejmë transaksione shumë të shpejta, të qarta e të kuptueshme nga klienti. Në fillim të aktivitetit ishte e paimagjinueshme që do të arrinim në këto nivele shërbimi.
Teknologjia ka bërë punën e vet. Klienti është i kënaqur për saktësinë e veprimeve të shpejta, nuk lodhet që të mbushë formularët dhe e prek transparencën tonë.
Materialet e marketingut, reklamat, posterat dhe aksesorët e ndryshëm, kanë qenë të pranishëm, në mënyrë të vazhdueshme, duke na identifikuar dhe duke dalluar në treg.
Sot ofrojmë një shërbim bashkëkohor dhe jemi shumë krenarë për objektivat që kemi arritur.